Rama për projektin në Zvërnec: “Siguresa” për të shqetësuarit është Komisioni Europian

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar të pavërteta pretendimet se qeveria ka shitur tokë publike në favor të kompanisë së lidhur me Jared Kushner për projektin turistik në Zvërnec dhe Sazan. Në podcastin “Flasim”, Rama u ndal tek intervista e tij për Deutsche Welle gjatë vizitës në Gjermani, ku tha se u përball me pyetjen: “Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?”.

“Kjo gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t’u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike”, u përgjigj kreu i qeverisë.

Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se projekti bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian ose me mbrojtjen e zonave natyrore, duke theksuar se çdo procedurë po zhvillohet në përputhje me legjislacionin europian.

“Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Në rastin konkret, e gjitha është një vorbull, e cila përzihet e përzihet e përzihet për qëllime që tanimë janë qartësisht të tjera, ndërkohë që ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t’u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. Pra, si të thuash, “siguresa” për të gjithë ata që janë të shqetësuar është aty; është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian”, theksoi Rama.

Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet prioriteti kryesor i qeverisë dhe se nuk do të ndërmerret asnjë hap që cenon standardet e kërkuara nga BE për mbylljen e negociatave. (A2 Televizion)