Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur këtë mëngjes pyetjeve të qytetarëve në rubrukinën e tij “Sy m’Sy”. Ai theksoi edhe njëherë rëndësinë e marrjes së pasaportës europiane që sipas tij nuk është thjesht lëvizje e lirë.
“Rrugët, tunelet, infrastruktura janë të rëndësishme për ty indirekte për ty për personalisht. Pasaporta europiane është e rëndësishme indirekte sepse me hyrjen e Shqipërisë në BE, marrja e pasaportës europiane direkte i shkon si përfitim çdo shqiptari. Dhe marrja e pasaportës europiane është shumë më tepër se sa lëvizje e lirë. Sot ne kemi pasaportë që na jep mundësi të lëvizim, por nuk na jep mundësi të ndalojmë, pra që kur hyjmë në një kufi të BE dhe zbresim në një aeroport na fusin në një radhë tjetër. Jemi në një avion me italianë, italianët avullojnë menjëherë, ne jemi në radhë, dalim përpara një polici atje që sheh pasaportën edhe fillon me pyetjet, ku po shkon? Kush të ka ftuar? A ke lek me vete? Sa do të rrish? Kur do ikësh? Pa hyrë akoma kur do ikësh? Dhe ata që duan të rrijnë jo shkojnë bëjnë kërkesë për azil, jo shkojnë futen në punë të zezë. Pra shkurt fjala qytetarë të dorës së dytë, ndërkohë që pasaporta europiane na bënë qytetarë të dorës së parë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha më tej se pasaportën europiane mund ta marrim vetëm duke i dhënë votën më 11 Maj dhe se vetëm PS mund ta fus Shqipërinë në BE “O e fus unë dhe PS Shqipërinë në BE, ose kjo punë nuk mund të behet për disa vite të tjera”.