Rama njofton ngritjen e bordit të ri për ushqimet: Jemi në luftë, s’ka më fitime si më parë

“Dje, në një komunikim, ishte një argument që bota mund të përballet me shokun më të madh të furnizimit me karburant në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, si rezultat i daljes jashtë të një shifre marramendëve barrelash që furnizohen nga Rusia. Madje, ka skenarë që thonë se mund të përballemi me krizën e karburanteve si ajo e vitit 1974”.

Kryeministri Rama njoftoi ngritjen e një bordi për përcaktimin e çmimeve të produkteve bazë ushqimore. Gjatë takimit me importuesit e mëdhenj të ushqimeve, Rama tha se bordi do të bëjë transparencën e ushqimeve.

“Ajo që më ka shqetësuar nga raportimi i Ministrisë së Financave është se shumica ia hedh fajin pakicës dhe pakica ia hedh shumicës dhe për të mos patur hedhje faji do futemi edhe ne në këtë mes dhe do krjojmë bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës. Ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues tuajt. Dhe çcmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk do të tolerohet të vendosë çmime të vendosura aty. Kush vepron ndryshe do t’i konfiskohet prodhimi”, tha Rama.

Kryeministri tha se importuesit e mëdhenj nuk mundet që të mbajnë të njëjtat nivele fitimi si para luftës.

“Unë nuk jam që ju të mos dilni në fitim, por që edhe s’mund të prisni të njëjtat fitime që keni më parë”, tha kryeministri duke theksuar se bordi nuk do të sillet arbitrarisht, por do të marrë në konsideratë interesat e familjarëve si edhe të bizneseve.

Gjatë javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e çmimit të ushqimeve bazë, si vaji, mielli, makaronat etj., duke shkaktuar mjaft probleme në ushqyerjen e qytetarëve. Ky është bordi i dytë që do të vlerësojë çmimet e produkteve bazë, krahas karburanteve. /abcnews.al