Kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin, deklaroi se Shqipëria e ka të qartë se nuk ka asnjë rrugë tjetër veç Bashkimit Europian.
“Po ecim me ritme rekord. E dimë që ka sfida dhe duhen shumë përpjekje, por e dimë që nuk ka rrugë tjetër. Është hera e parë për ne në histori që e dimë se me kë duam të martohemi. Duam të martohemi me këtë perandori vlerash dhe sigurie, ku më në fund qytetarët tanë të sigurohen që të drejtat e tyre do të respektohen”, u shpreh Rama.
“Dua të them se na erdhi shumë mirë kur pamë barometrin dhe kuptuam që populli danez është mes mbështetësve më të mëdhenj të anëtarësimit tonë. Të jep mjaft siguri kur ke në krahun tënd vikingët. Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit para mbylljes së këtij viti. E di që ështrë ambicioze, por është ajo që duam të bëjmë. Ashtu siç e theksoi edhe Marta Kos, kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, por të realizojmë çdo ditë. E dimë që ka sfida, që duhen bërë shumë përpjekje, por e dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër”, shtoi kryeministri shqiptar, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv.