Rama nga Brukseli: Bullgaria po mban peng dy vende të NATO-s (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi ka arritur në objektin ku do të mbahet takimi i liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se nuk pret të zgjidhet asgjë sa i përket çështjes me Bullgarinë, por nëse ndodh ai u shpreh se ‘do jetë motiv për të marr frymë të lehtësuar’.

“Ju kam thënë dhe po e përsëris prapë, përkundër optimizmit të ngutur të disave, edhe këtu në Bruksel, nuk pres të zgjidhjet asgjë në Bullgari, por ndërkohë sigurisht nëse do të zgjidhet do të jetë motiv për të marr frymë të lehtësuar nga kjo pengmarrje e një vendit të NATO-s, të dy vendeve të NATO-s në kulmin e një lufte të nxehtë në kufijtë e Evropës dhe nën vështrimin e 26 vendeve të tjera që shohin si yjet që rrinë e vështrojnë”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.

“Është turp që Bullgaria rrëmben dy vende të NATO-s në mes të një lufte në Evropë. Viktimë, jo, nuk do jemi kurrë viktimë sepse e dimë se në këtë rrugë është një Bullgari këtu, një atje. Ne nuk e ndryshojmë rrugën, duhet të vazhdojmë të ndërtojmë Evropën në shtëpinë tonë. Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë ndërsa rruga e integrimit do vazhdojë, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajon. Ballkani i Hapur është i hapur për këdo. Jemi në ulëset e para sepse çdokush duhet të ngasë makinën e vet dhe Shqipëria po bën pjesën e vetë, sepse na e kërkon Brukseli, por mbi të gjitha fëmijët tanë. Maqedonia e Veriut është kandidate prej 17 vitesh, Shqipëria prej 8, kështu që mirëserdhët në Ukrainë. Është gjë e mirë që Ukrainës i jepet statusi kandidat, por ukrainasit të mos krijojë shumë shpresa”, tha kryeministri shqiptar.

Ndërkohë, liderët e 27 vendeve të BE-së do të takohen sot në një samit dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor fillon në orën 9.30 në ndërtesën e Këshillit Evropian.