Rama në takim me fermerët në Dibër: Duhet të bashkoheni për të përballuar tregun e BE-së

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të shtunë një takim me fermerët e Dibrës, ku u ndal tek perspektiva e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se anëtarësimi në BE nuk është më thjesht një dëshirë, por një domosdoshmëri, duke vënë në dukje rëndësinë e organizimit dhe bashkimit të fermerëve në struktura bashkëpunuese për të rritur konkurrueshmërinë në treg.

“Nuk jemi më të dëshiruar, por jemi të detyruar në fazën e bashkimit. BE funksionon me kooperativa, ndryshe nga kooperativat e komunizmit. Në kooperativat e BE-së, të gjithë prodhojnë më vete dhe shesin bashkë. Kanë një pozitë më negociuese me blerësit, pasi mbjedhin një farë, pastaj ndajnë kostot e punimit të tokës, grumbullojnë dhe shesin.

Aty ku kjo është bërë dhe është bërë përpara se ta nxisnim ne, një nga pikat ku ka lulëzuar Shqipëria bujqësore, atëherë kur tre të katërtat e tokave nuk punoheshin fare në jug, në zonën e Zarës dhe Konispolit.

Një shembull ku fermerët e mençur thonë, do shesim mandarina, do shesim bashkë që të kemi një volum të madh dhe të krijojmë një forcë.

Duhet bashkim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur mbështetje për bashkimin financiar, institucional dhe në aleancë me shtetin.

Bashkia është aksioner, jo që t’ju marrë juve fitimet. Dibra “origin” fillon dhe bëhet një markë dhe fillon të shitet.

Në të kundërt nuk e përballojmë dot përplasjen kur të bëhemi anëtarë të BE-së. Gjithë ai treg i madh, nëse ne dalim tek e tek, nuk do të mbijetojmë, duhet të bashkoheni për të përballuar tregun e BE-së”, u shpreh Rama.