Në lamtumirën e fundit për Fatos Nanon, ish-kryeministër i Shqipërisë dhe ish-lider i Partisë Socialiste, një fjalim mjaft emocionues e mbajti edhe kryeministri aktual, Edi Rama.
Rama foli për sfidat që kaloi Nano gjatë rrugëtimit të tij, duke kujtuar një nga një të bëmat e kundërshtarëve politikë.
Ai theksoi se të gjithë ata tash po shfaqen dhe po e duan atë.
“Po sot, sa të paskan dashur e të paskan admiruar more burrë i dheut. Po edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur, mezi paskan pritur të ta tregonin dashurinë dhe adhurimin, sapo ta merrnin vesh që nuk do t’i hapësh më sytë”, deklaroi Rama.
“More deri tek ata që të kallën në burg, duke të të akuzuar si vjedhës e që erdhën të të vrasin në zyrë duke të të mallkuar si vrasës e të lëshuan mbi fytyrë për vite e vite me radhë, tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shihje se si t’i kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre”, theksoi ai njofton Klankosova.tv.




