Rama: Mbetem me shpresë se do të kemi konfirmimin e takimit me Kurtin sot pasdite

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mbetet me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të ketë edhe konfirmimin e takimit me Albin Kurtin sot pasdite.

Në llogarinë e tij në Facebook, Rama ka bërë të ditur se sot në mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana e Shqipërisë, raporton Klan Kosova.

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, ka shkruar Rama.

Derisa takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka të konfirmuara, për takimin me kryeministrin Albin Kurti ende nuk dihet.

Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje.