Gjatë një takimi me pensionistë, Edi Rama vendosi të kërcënojë hapur protestuesit duke u thënë se monopolin e forcës e ka shteti.
“Çdokush ka të drejtë ta bëjë kontestimin pa u cenuar. Nga ana tjetër, pikërisht sepse gjithkush ka të drejtë të protestojë, monopolin e forcës në demokraci e ka shteti dhe jo individi. Kush përdor forcë kundër shtetit pastaj, futet në tjetër territor. Pasi demokracia qëndron te ky pakt. Qeveria ka të drejtën të vendosë dhe të gjithë qytetarët bashkë kanë të drejtën ta kontestojnë vendimin e qeverisë. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet. Kjo protesta i tregon të gjithë atyre hienave, korbave e sorrave, që rrinë dhe rrokanisin kokën e miletit çdo natë, që këtu është demokraci, këtu nuk ka rrahje të protestuesve paqësorë”, tha Rama.
Ai vazhdoi sërish me fyerje dhe kërcënime të tjera ndaj protestuesve paqësorë.
“Ne na duhen më pak njerëz dhe më shumë para këtu. Por, për këtë na duhet që të kemi infrastruktura mikpritëse të një niveli tjetër. Se ata njerëz që lënë shumë para duan tjetër nivel. Tani gjithfarëlloj sharlatanësh, delirantësh dhe dështakësh, që janë sprovuar në skenën publike dhe kanë akumuluar një mllef shumë të madh, sepse u duket se dështimi i tyre është për fajin tim dhe për fajin e qeverisë tonë, bëjnë teorira dhe i hedhin popullit gjithfarëlloj aguridhesh se këto resortet e luksit janë vetëm për ata që vijnë dhe që shqiptarët janë jashtë sistemit. Kjo është një çmenduri, sepse ato janë fabrika që krijojnë lëvizje në ekonomi,” tha Rama.
© SYRI.net



