Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është i pandalshëm.
Duke komentuar në “Shënimet e Javës”, ai ka mirëpritur votën pro të opozitës shqiptare në Kuvend lidhur me rezolutën për integrimin.
“Shënimi i fundit është për diçka të mirëseardhur në Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe një herë e vetme, prapë se prapë, është një herë me vlerën e vet dhe më vjen mirë po ashtu që, me sa unë kuptoj, e kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston”, ka thënë ai.
Rama ka paralajmëruar një lajm të ri, atë të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe sipas tij, do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”, ka thënë Rama. /Klankosova.tv



