Kryeministri i SHqipërisë, Edi Rama gjatë podkastit “Flasim”, ka folur për vizitën e tij në Hagë dhe takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Rama e cilësoi procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së si një farsë, që sipas tij ka nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ka vijuar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se e ka gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë shpirtërore, të qetë dhe të buzëqeshur, duke e përshkruar këtë si qëndrim të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë. Ai shtoi se i mungojnë fjalët për të përshkruar atë që e konsideroi një padrejtësi të rëndë në zemër të Europës demokratike.
Sipas Ramës, kjo çështje nuk përbën vetëm një padrejtësi ndaj disa individëve, por ndaj vetë popullit të Kosovës, i cili luftoi për lirinë e tij. Ai theksoi se drejtuesit e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, kanë pasur rol vendimtar jo vetëm në çlirimin e Kosovës, por edhe në heqjen e një njolle të rëndë historike për Europën.
“Udhëtimi drejt Hagës dhe takimi me Hashimin, komandantin e Luftës Çlirimtare, udhëheqësin e Kosovës së lirë dhe vëllaun tim matanë bjeshkëve, ishte një moment shënjues i javës që shkoi.Ai u rrëmbye, u rrëmbye pa gjyq, u rrëmbye pa akuzë, nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, me vullnetin e vet të lirë. U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë e Përgjithshme Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe të vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë. E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij. Nuk di, realisht nuk kam fjalë për të thënë më shumë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, bazuar në besimin e atyre që e votuan këtë gjykatë duke ia lënë në dorë drejtësisë ndërkombëtare të bëjë drejtësi dhe sot gjenden në këtë situatë ku në fakt, padrejtësia nuk u bëhet thjeshtë disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por po i bëhet vetë atij populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, por që falë ushtrisë çflirimtare të Kosovës, falë Hashim Thaçit, falë Kadri Veselit, falë Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve, çliroi edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada e dekada turpi me radhë. Zoti qoftë me burgosurit pa gjyq të Kosovës, në Hagë, që prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, janë pengje, pengje të një padrejtësie, një padrejtësie në Europën e lirisë demokracisë e shtetit ligjor. Dhe le të lutemi që viti i ri të sjellë edhe fundin e këtij turpi në kurriz të luftës, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, të Republikës së Kosovës, përveçse të disa individëve të pafajshëm.”, tha Rama.




