Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ky është viti i parë që ai feston festat e fundvitit pa rrethin e ngushtë të familjes.
Ai tha se është e vështirë, por kjo është bërë në bashkëpunim me psikologët e shkollës së fëmijëve të tij në Londër.
“Është viti i parë që po festoj pa rrethin e ngushtë të familjes. Është pak e vështirë, por në diskutim me psikologët e shkollës, kemi ardhur në përfundim që është më mirë që fëmijët ta kryejnë vitin shkollor atje dhe pastaj ta përdorim verën si shkëputje që fëmijët të adaptohen prej tranzicionit prej Londrës në Prishtinë”, është shprehur Rama në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se kjo kohë deri në korrik, për të është pozitive, sepse sipas tij, i lejon atij që të fokusohet përtej 100 për qindëshit për Prishtinën.
“Ideja është që të fokusohem dhe t’i kuptojë të gjitha strukturat e komunës së Prishtinës, ndërmarrjeve komunale, bordeve, të aksionarëve, grupeve të ndryshme dhe ekipeve të reja me të cilën do ta menaxhojmë Prishtinën”, ka thënë Rama, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket asaj se ku do të festoj Rama, ai tha se deri në orën 21:30 do të festoj në sheshin e Prishtinës.
“Sot do të festoj me Prishtinën. Për shkak të masave të pandemisë, ne duhet t’i përmbahemi dhe duhet t’i respektojmë masat rreptësisht por do të ketë festival deri në orën 21:30, pra do të jem në shesh deri në këtë orë”, është shprehur Rama, njofton Klankosova.tv.