Dyshja këtë ftohje raportesh e kanë krijuar për shkak të qëndrimeve karshi Serbisë.
Derisa Rama dikur thoshte se Kurti është i paaftë në luftën diplomatike të Kosovës ndaj shtetit të Serbisë, Kurti e akuzonte atë për qëndrim ndryshe karshi shtetit serb, raporton Zeri.info.
Nëntorin e vitit të kaluar, Kurti në një konferencë për medie pati thënë se me kryeministrin e Shqipërisë ka kohë që nuk kanë qëndrime të njëjta, dhe kjo pasi që, sipas tij, Edi Rama nuk guxon ta thotë të vërtetën sa i përket presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai pati thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bashkohen si komb gjersa ka qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë. Sipas tij, këto dy shtete nuk e kanë luksin që të dallojnë me qëndrime sa i përketë Beogradit.
“Ka kohë që me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotri Edi Ramën nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përket presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërteten për presidentin e Serbisë. Për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojmë sa i përket Beogradit”, pati thënë Kurti.
Kurti thoshte se këto dallime vijnë si pasojë e qëndrimeve që ka kryeministri Rama ndaj presidentit të Serbisë, ku krimet e Serbisë mundohet t’i lokalizojë në figurën e Millosheviqit.
E Edi Rama, gjatë fushatës zgjedhore në Shqipëri, ku mori pjesë edhe Kurti me 3 kandidatë, u pyet në lidhje me këtë çështje.
Ai tha se nuk dëshiron të flasë për të, porse do të flasë pas zgjedhjeve.
Megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar të mos flasë për Kurtin, përkundër që ky i fundit i uroi fitoren në zgjedhje.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu pas zgjedhjeve se si e komenton pjesmarrjen e Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri, Rama në stilin e tij me gishtin tregues lart, ka thënë që nuk flet për të.
Përkundër instistimit të gazetarit për të marrë një përgjigje, duke ia kujtuar Ramës deklaratën gjatë fushatës se nuk flet për Kurtin deri pas zgjedhjeve, kryeministri shqiptar është përgjigjur duke thënë se do e shtyjë edhe pak komentin e tij për Kurtin.
“Nuk flas për të…. Kam thënë që nuk do flas deri me 26 prill, por ja që do e shtyj edhe pak këtë kohë. Kaq”, ka thënë Rama.
E ky raport i ftohtë mes tyre u shpërfaq sot edhe në Bruksel, ku ishin të ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor në një darkë joformale me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, raporton Zeri.info.
Aty ishin të pranishëm edhe Rama e Kurti, nga ku kryeministri i Shqipërisë publikoi në faqen e tij në Facebook disa foto nga kjo vizitë.
Por në to nuk u shfaq asnjë foto me Kurtin, përpos asaj fotos “familjare” me të gjithë kryeministrat e shteteve të Ballkanit, bashkë me Borrellin dhe me Olivier Varhelyin, komisionerin e BE-së për zgjerim.
Edhe në këtë foto, Rama dhe Kurti nuk janë afër.
Rama kishte përzgjedh edhe disa foto tjera nga kjo vizitë, ndër to edhe një foto me Miroslav Lajçakun, emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe një foto tjetër të nxjerrë nga ajo fotoja “familjare”, por ku ishte prerë aq sa të mos shihej Kurti.
Me ose pa qëllim, mbetet për t’u sqaruar kjo situatë në të ardhmen, nëse njëri nga ta pranon të flasë. /Zëri