Rama bën shaka me Spajiqin: Mali i Zi më i vjetër se Greqia

Në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Londër, në kuadër të Procesit të erlinit, është shënuar një përplasje e pazakontë verbale mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Malit të Zi, Milojko Spajiq.

Gjatë një paneli diskutimi, Rama dhe Spajiq shkëmbyen batuta dhe replika që shpejt morën vëmendjen e të pranishmëve. Gjithçka nisi kur Spajiq kundërshtoi një deklaratë të Ramës, i cili më pas, me tone humoristike, ironizoi me madhështinë e Malit të Zi.

“Ju madje keni dy emra – Mali i Zi dhe Gora”, u shpreh Rama me shaka, duke iu drejtuar homologut malazez.

Spajiq, në fjalën e tij, theksoi se Mali i Zi ka një histori shekullore dhe riktheu pavarësinë në vitin 2006. Rama reagoi sërish me ironi duke shkaktuar të qeshura në sallë: “Mali i Zi është më i vjetër se Greqia”.

“Edhe më i vjetër se Serbia”, u shpreh Rama.

Megjithatë, Spajiq nuk e priti me humor këtë replikë dhe vazhdoi fjalimin e tij pa reaguar.

VIDEO:

Përtej këtyre shkëmbimeve, tema kryesore e samitit ishte siguria dhe migracioni. Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka pranuar ndërtimin e qendrave për refugjatët nga Italia, por theksoi se nuk do të bëhet qendër emigrantësh.

Nga ana tjetër, Spajiq deklaroi se Mali i Zi nuk është pjesë e rrugëve të migrimit, për shkak të infrastrukturës së dobët hekurudhore. Ai shtoi se vendi i tij do të ishte i gatshëm të pranojë emigrantë nëse investohen 10 miliardë euro në hekurudha.