Rama: Ballkani i Hapur e ka kryer misionin për të cilin lindi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar sot se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që thotë se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, raporton Express.

Rama thotë se tash rruga kryesore është Procesi i Berlinit, duke përmendur se Samiti mbahet në Tiranë këtë vit.

“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama, në një intervistë për Euronews Albania.

Ai tha se do të realizojë vizita në të gjitha shtetet e rajonit, për t’u takuar me kryeministrat dhe presidentët, dhe për t’i njoftuar se çka po bëhet në këtë drejtim.

“Procesi i Berlinit, është e ardhmja jonë, unë po përgatitem të bëj një udhëtim në rajon. Dua të shkoj t’i takoj të gjithë kryeministrat edhe presidentët, edhe në Shkup, edhe në Prishtinë, edhe në Beograd edhe në Sarajevë edhe në Podgoricë, për t’i informuar lidhur me çka po bëjmë”, ka deklaruar Rama.

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.

Në korrik të vitit 2021, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.

Kosova ka qenë kundër kësaj nisme që nga fillimi. Kryeministri Albin Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë./Gazeta Express