Radev, Varhelyi: BE-ja të garanton sigurinë e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

Është koha e fundit që institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut të kundërshtojnë në mënyrë efektive dhunën dhe gjuhën e urrejtjes ndaj bullgarëve. Kështu ka deklaruar presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në një bisedë telefonike me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, njofton shërbimi për shtyp i kreut të shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Radev theksoi se rastet e shpeshta të agresionit kundër bullgarëve në vend “kërkojnë një përgjigje të caktuar institucionale”.

“Përpjekjet për t’i nënçmuar dhe trajtuar ato vetëm si çështje penale nuk janë në interes të marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivës evropiane të RMV-së. Mosveprimi dhe mungesa e dënimeve stimulojnë krimet e urrejtjes”, theksoi Radev.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të garantojë respektimin e të drejtave dhe sigurisë së bullgarëve në RMV me të njëjtën energji me të cilën insistoi për përshpejtimin e integrimit evropian.

Radev pak ditë më parë tha se do të aktivizohen të gjithë mekanizmat evropianë “për t’i dhënë fund kësaj urrejtjeje dhe histerie antibullgare”.