Radev: Krahas presioneve – nuk pranojmë ultimatume

Presidenti bullgar Rumen Radev i ka vlerësuar si “ultimatum të pashembullt” fjalët e shefit të diplomacisë të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, se nëse së shpejti nuk vjen deri te zhbllokimi i negociatave aderuese të vendit me BE-në, do të duhet “të tërhiqet vijë” dhe fokusi të vendoset në reformat e brendshme, në vend të kësaj çështje të jashtme politike për Qeverinë në Shkup. Radev ka shtuar – duhet të durohet presioni në lidhje me çështjen për Maqedoninë e Veriut.

Pjesa më e madhe e pyetjeve të gazetarëve për Presidentin e Bullgarisë Rumen Radev edhe sot kishin të bëjnë me Maqedoninë e Veriut. A është e mundur që Qeveria ta tërheqë veton deri në qershor, çfarë nëse Kryeministri Kiril Petkov, i cili për momentin është në bisedime në Shtetet e Bashkuara, i nënshtrohet presionit ndërkombëtar. Mesazhi i Radevit është se Qeveria duhet t’i mbrojë interesat kombëtare bullgare.

RUMEN RADEV, PRESIDENT, BULLGARI

“Është skajshmërisht e papërshtatshme dhe e pashëndetshme të flitet për Bullgarinë dhe të vendosen disa ultimatume. Presioni ishte edhe më i madh gjatë vitit të kaluar. Unë dhe qeveria teknike e kemi duruar atë presion të dy këshillave për zgjerim njëri pas tjetrit. Do të thotë se mund të durohet ai presion kur ka pozicione të qarta të cilat jo vetëm që e shprehin interesin bullgar, por e shprehin të vërtetën.”

Pas takimit me mysafirin e saj nga Austria, Aleksandar Shalenberg, Ministrja e Punëve të Jashtme Teodora Gençovska, ka përsëritur se nga Maqedonia e Veriut vazhdon të pritet plotësimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë.

GRAFIKA, TEODORA GENÇOVSKA, MINISTRE E PUNËVE TË JASHTME, BULLGARI

“Përparimi në rrugën drejt anëtarësimit është i lidhur me parimin e meritave të veta. Pres nga Shkupi hapa dhe garanci konkrete për plotësim të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm të Marrëveshjes së vitit 2017, si dhe garanci për të drejtat e qytetarëve nga RMV-ja me vetëdeklarim bullgar.”

Siç përcjellin mediat bullgare, Ministri Shalenberg ka deklaruar se Austria do të dëshironte që negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë të fillojnë në qershor, duke shtuar se Vjena zyrtare e kupton se “ka pika shumë të ndjeshme në marrëdhëniet dypalëshe të cilat duhet të zgjidhen.”