Ra në krye të detyrës në Maliq, polici do të varroset në vendlindje

Ditën e sotme do të mbahen homazhet për Enea Mekollin, policit 34-vjeçar që humbi jetën gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuari në Lozhan të Maliqit, një ditë më parë.

Homazhet do të mbahen nga ora 10:00-12:00 në Pogradec dhe trupi i pajetë i Dëshmorit të Atdheut do të prehet në varrezat e vendlindjes, në fshatin Blacë.

Siç raporton Euronewsal, megjithëse statusi i “Dëshmorit të Atdheut” parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindjen e tij.

Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga një sëmundje e rëndë, gjithashtu efektiv policie.

Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit.