Qytetarët kundërshtojnë formimin e Asociacionit, në duar mbanin pankarta me gabime të shumta drejtshkrimore

Një numër i qytetarëve kanë protestuar sot në sheshin e Prishtinës, kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ata kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të rishikojnë qëndrimet e tyre karshi kësaj kërkese ndaj Kosovës.

Gjatë kësaj proteste ajo që ra në sy ishin edhe pankartat e protestuesve të cilat ishin shkruar me gabime të shumta drejtshkrimore.

“Ne emre te popllit shçiptar kunder asosacionit me shumic serbe”, thuhet në pankartën që njëri prej protestuesve e mbante krenarisht.

Gjatë fjalimit, njëri nga përfaqësuesit e protestuesve tha se shqiptarët janë kundër Asociacionit.

“Askush në Kosovë nuk e harron ndihmën e Evropës gjatë luftës për liri dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur. Evropa duhet ta di se shqiptarët masivisht janë kundër Asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta qoj shtetin në të njëjtën gjendje ku e ka quar Bosnjën, Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh ai.

Qytetari tutje shtoi se do të ketë protesta masive gjithandej.

“Protestat do të jenë masive gjithandej, paqësore dhe në mbështetje të qeverisë Kurti që po punon me të gjitha forcat për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Shqiptarët do të luftojnë për ta ndalur Asociacionin e institucionet evropiane duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre”, u shpreh qytetari.

Në fund të fjalës së tij ai u shpreh se “në këto ditë vendimtare për të ardhmen Kosovën nuk duhet lënë vetëm. Të mbushim sheshet në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të shtetit tonë”.