Qytetarët e Parisit do të votojnë nëse do të ndalojnë funksionimin e kompanive që marrin me qira skuterë elektrike

Më 2 prill, qytetarët e kryeqytetit francez do t’i përgjigjen me referendum pyetjes: “A jeni pro që kompanitë që marrin me qira skuterë elektrikë të vazhdojnë punën e tyre?”.

Është një temë që ndan jashtëzakonisht publikun, ka deklaruar Hidalgo, transmeton The Guardian.

Hidalgo tha se ajo mbështet ndalimin, por do të respektojë vullnetin e shumicës, duke shtuar se skuterët elektrikë në pronësi private “nuk përbëjnë problem” për qytetin.

Shumë qytetarë të Parisit ankohen se drejtuesit e skuterëve elektrikë lëvizin me arrogancë, në trotuare dhe parqe, nuk respektojnë këmbësorët apo rregullat e qarkullimit rrugor dhe i parkojnë skuterët kudo që arrijnë apo edhe i hedhin në lumin Seine, deklaron kryebashkiakia.

Mbështetësit e marrjes me qira të skuterëve elektrikë theksojnë se bëhet fjalë për një sistem transporti ekologjik, i cili përfaqëson një alternativë ndaj mjeteve që përdorin benzinë ose naftë dhe ndotin mjedisin.

Nëse qytetarët votojnë për të ndaluar marrjen me qira të skuterëve elektrikë, Parisi do të bëhet metropoli i parë në botë që do të miratojë një rregullore të tillë.