Qytetarët duhet të marrin dozën e tretë të vaksinës, thotë ministri i Shëndetësisë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi kërkon që secili qytetarë që ka marrë dy vaksina, të marrë edhe dozën e tretë. Ai tha se ekziston mundësia që edhe personat që kanë marrë tri doza të riinfektohen me Covid-19, mirëpo e kalojnë më lehtë.

“Nëse dikush është vaksinuar me dy doza duhet ta marrë edhe dozën përforcuese. Unë e kam marrë edhe vet. Secili duhet ta marrë edhe vaksinën e tretë. Edhe ata që kanë marrë vaksinën mund të sëmuren”.“Vaksina nuk është 100% në të gjitha rastet, por nëse riinfektohesh megjithatë do të kalojë më lehtë sesa mos të jesh i vaksinuar”, deklaroi Latifi për Ekonomia Online.

Ai thotë shkollat në Kosovë fillimisht duhet të mbeten të hapura.

“Kujdesi ndaj fëmijëve është ndër më të rëndësishmit që ne mund të bëjmë ne vendin tonë. Veçmas duhet ta ruajmë aftësinë që fëmijët të shkollohen, por edhe shëndetin mendor të tyre. Secila shkollë e komunë do të bisedojnë për masat që duhet marrë. Tash për tash do ta koordinojmë me Ministrinë e Arsimit. Unë nuk besoj se duhet të mbyllen shkollat. Nëse mbyllim shkollat duhet të mbyllim të gjitha aktivitet e tjera. Shkollat janë të fundit që duhet të mbyllen, por duhet të marrim masa që në shkollë fëmijët të jenë të sigurt të vaksinuar”, tha Latifi.