Tregjet dhe marketet sot ishin përplot me njerëz që blenin produktet e nevojshme për të përgatitur darkën e fundvitit. Aroma e mishit të pjekur dhe sarmasë tradicionale po përhapet thuajse nga çdo shtëpi, mirëpo qytetarët thonë se rruga deri te tryeza e shtruar po kalon përmes çmimeve “të kripura”. Posaçërisht për pensionistët, kjo natë është sa festive, aq edhe sfiduese ekonomikisht.
“Çmimet janë të shtrenjta si në markete ashtu në tregje. Gjithandej shkruan se ka aksione, në fakt aksionet janë fillimisht rritje të çmimeve dhe pastaj I ulin. Kjo nuk është zbritje, vërtet është shtrenjtë. Për pensionet e ulëta është shtrenjtë. Pensioni im u shpenzua për fatura, ato që mbetën nga bashkëshorti im do ti harxhojmë”, u shpreh një qytetare.
“Nuk mund të them asgjë sepse jam vetëm. Nuk jam përgatitur por besoj se do të ketë diçka nga nipërit dhe fëmijët. Nuk di si të shprehem tani por çmimet vërtet janë të kripura kundrejt pensionit që kam”, tha një qytetar.
Disa qytetarë vlerësojnë se për festat e fundvitit nuk duhet të kursehet asgjë, pavarësisht kostos. Por, përtej shifrave, Viti i Ri mbetet simbol i bashkimit familjar. Për të moshuarit që jetojnë vetëm, tryeza më e mirë është ajo që shtrohet te djemtë e nipërit, ku menyja nuk diskutohet.
“Për sonte e keni përgatitur tryezën? Po, akoma po bëjmë pazarin. Çfarë keni blerë? Momentalisht fruta, pjesa tjetër është blerë dhe tashmë po piqet. Tash shpenzova 300 denarë dhe para kësaj diku 3 mijë denarë. Si janë çmimet? Çmimet thuajse si çdo dit, të njëjta. Nuk po vërej se diçka është shtrenjtuar, sikurse ditëve tjera edhe sot. Për këto festa, për Vitin e Ri dhe Krishtlindje nuk guxon asgjë të mungoj, për më tutje do e shohim”, u shpreh një qytetar.
“Do të keni sonte mysafir? Jo, unë jetoj vetëm në shtëpi, do të shkoj te djemtë e mi. E rëndësishme të kemi në tryezë janë sarmat, mishi, sallatat e të tjera. A mendoni se janë rritur çmimet këtyre ditëve? Njerëzit mendojnë se janë rritur çmimet mirëpo unë shoh se shkojnë dhe blejnë speca në muajin janar, sigurisht që ato do të jenë të shtrenjta po edhe gjëra të tjera”, deklaroi një qytetar.
Pavarësisht nëse tryeza është plot ose modeste, qytetarët thanë se dëshira për të festuar mbetet e njëjtë. Ata urojnë që viti 2026 të sjellë çmime më të përballueshme dhe tryeza më të pasura për të gjithë. /Alsat.mk




