Si hakmarrje për bombardimet, Irani po sulmon vazhdimisht bazat amerikane në shtetet e Lindjes së Mesme.
E faqe të ndryshme të serbëve në rrjete sociale, raportojnë se shumë serbë po ua dërgojnë shërbimeve të ndryshme të Iranit koordinatat e kampit ushtarak Bondsteel në Kosovë.
Kjo bazë është amerikane dhe sipas serbëve, edhe ajo duhet të jetë cak i sulmeve të Iranit.
“Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht”, thuhet në një postim në rrjetin social “X”.

Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se nuk kanë marrë informacione për këto thirrje.
“Jo nuk kemi pranuar ndonjë informacion të tillë”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësja, Liridona Gashi.
KOHA, për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në KFOR, por nuk ka marrë përgjigje.
Irani edhe para se të niste sulmi i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit, ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet duke goditur të gjitha bazat amerikane në rajon si dhe territorin e shtetit izraelit.
Shumë prej bazave tashmë janë shënjestruar.
Në nisje të sulmeve ndaj Iranit, të shtunën, liderë institucionalë të Kosovës kanë mbështetur veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Sipas këtyre dy vendeve, qëllimi i sulmeve është shkatërrimi i programit bërthamor të Iranit.



