Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Mirëpo, a do të jetë Ministri Toshkovski ministër i parë i Punëve të Brendshme i cili në historinë e Maqedonisë së pavarur do të lëshojë për herë të parë akte në procedurën kundërvajtëse (urdhërpagesë kundërvajtëse, procesverbal për kundërvajtje të kryer në trafik ose procesverbal për kontrollë të rregullshmërisë teknike) edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj?!
Nëse ndodh kjo gjë në këtë projekt nacional atëherë merita nuk do të jetë individuale vetëm e Ministrit Toshkovski por edhe kolegjiale (solidare) e koalicionit qeveritar VMRO-VLEN-ZNAM me atë që Ministri Toshkovski do të hyjë në histori si ministri i parë i Punëve të Brendshme në historinë e Maqedonisë së pavarur i cili me aktin e tij (Rregullore) mundësoi përdorimin e gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj në procedurë kundërvajtëse para organit kundërvajtës (MPB) por dha edhe një shtytje të madhe që me qindra organe tjera kundërvajtëse të ndjekin shembullin e MPB si organi më i madh kundërvajtës në shtet,
Projekti nacional i njohur si: “Qytet i Sigurt” për mbikëqyrje automatike dhe kontroll të trafikut me qëllim të përmirësimit të sigurisë rrugore me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe kamerave për njohjen automatike të targave duke regjistruar dhe sanksionuar katër kundërvajtje: kalimin në të kuqe, tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, drejtimin e automjetit me regjistrim të skaduar dhe parkimin e paligjshëm, pritet që më 1 shkurt të hyjë në fuqi dhe të fillojë të zbatohet fillimisht në Qytetin e Shkupit dhe në komunat e Tetovës dhe të Kumanovës si dhe në autostradat e korridoreve 8 dhe 10, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të përfshihet në fazat e tjera, me atë që MPB për të shmangur gabimet e padëshiruara dhe dënimet e ashpra, ka vendosur edhe pragje tolerance: deri në 100 km/h, toleranca është 6 km/h, dhe mbi 100 km/h, toleranca është 8 km/h.
Një aspekt që është me rëndësi të veçantë në këtë projekt nacional është edhe përdorimi i gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj në procedurën kundërvajtëse para organit kundërvajtës (MPB), e cila për fat të keq, asnjëherë nuk është përdorur nga MPB edhe pse Ligji i përdorimit të gjuhëve i bëri tashmë 7-të vite që ka hyrë në fuqi dhe parasheh gjoba të larta 4000-5000 EUR për çdo shkelje të tij, mirëpo zbatimi i tij në këtë lëmi deri tani është 0%.
Ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski në foltoren e Kuvendit më 21 janar 2025 garantoi (u zotua) publikisht para të gjithë qytetarëve se çdo akt që do të lëshohet nga MPB do të jetë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën edhe pse pyetja e deputetit ishte për sms porositë që u drejtuan qytetarëve shqiptarë (rreth 40.000), që domethënë se Ministri Toshkovski shkoi më larg se sa pyetja e parashtruar e deputetit: pyetja ishte për njoftimet me sms porosi kurse përgjigja e tij ishte për aktet (juridikisht akti është shumë më i vlefshëm se sa njoftimi me sms).
Mirëpo, a do të jetë Ministri Toshkovski ministër i parë i Punëve të Brendshme i cili në historinë e Maqedonisë së pavarur do të lëshojë për herë të parë akte në procedurën kundërvajtëse (urdhërpagesë kundërvajtëse, procesverbal për kundërvajtje të kryer në trafik ose procesverbal për kontrollë të rregullshmërisë teknike) edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj?!
Duhet theksuar se, Rregullorja në fuqi për formën dhe përmbajtjen e formularëve (edhe në gjuhën shqipe) për këto akte është miratuar në gusht të v. 2023 nga pararendësi i tij Spasovski mirëpo, ajo gabimisht bazohet në nenin 9 paragrafi 3 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve (që rregullon procedurat gjyqësore) në vend që të bazohet në nenin 6 paragrafët 1 dhe 2 të këtij ligji ku parashihet detyrimi sipas detyrës zyrtare i përdorimit të gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj. Gabimisht sepse procedura kundërvajtëse nuk është procedurë që udhëhiqet para gjykatave por para organit kundërvajtës (në këtë rast MPB) andaj, edhe nuk zbatohet në praktikë!
Përndryshe, neni 9 i Ligjit të përdorimit të gjuhëve që parasheh se të gjitha procedurat gjyqësore përfshi edhe ato kundërvajtëse para gjykatave do të udhëhiqen edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj, tashmë 7-të vite nga hyrja në fuqi e ligjit, ka një zbatim praktik me 0% sepse deri tani nuk ka asnjë procedurë të vetme gjyqësore në asnjë gjykatë në Maqedoni të udhëhequr edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj edhe përkundër gjobave të larta 4000-5000 EUR për çdo shkelje të tij, për shkak të formulimit të gabuar të këtij neni respektivisht në vend që paragrafi 7 i këtij neni që merr parasysh lokacionin (selinë) e gjykatave në së paku një njësi të qeverisjes lokale ku flitet gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja e që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë, të jetë kriter për udhëheqjen e procedurave gjyqësore edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj (në paragrafin 2 të këtij neni), ky kriter shërben vetëm për vendosjen e mbishkrimeve në gjykata edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj, prandaj edhe ky nen (me përjashtim të mbishkrimeve në gjykata) ka mbetur “germë e vdekur në ligj” me zbatim 0% në praktikë gjë që është potencuar edhe nga Komisioni i Venecias në opinionin e tij të v. 2019 për këtë ligj, se ky nen kështu siç është formuluar është i pazbatueshëm në praktikë për udhëheqjen e procedurave gjyqësore edhe në gjuhën shqipe, dhe kishin të drejtë!
Ironik është fakti nga hulumtimet në terren të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Serbi që tregojnë se në 7-të vitet e fundit, në Gjykatën e Vranjës me 0.01% shqiptarë megjithatë paska një procedurë gjyqësore të udhëhequr edhe në gjuhën shqipe ndërkaq, rekordere është Gjykata e Suboticës me rreth 150 procedura gjyqësore në vit të udhëhequra edhe në gjuhën hungareze dhe në alfabetin e saj!
Poashtu, ende më ironik është fakti tjetër se udhëheqja e procedurave gjyqësore edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj në Maqedoni, paraqet një të drejtë kolektive kombëtare të fituar ligjore jo me Ligjin e përdorimit të gjuhëve por me Ligjin e gjykatave të rregullta të Maqedonisë Socialiste të v. 1976 ku në nenin 17 parashihej se, në zonat e komunave ku jetojnë pjesëtarët e kombësive, nëse me statutin e komunës është paraparë përdorimi i gjuhës së një kombësie të caktuar, procedura para gjykatës komunale, që vepron në atë zonë, udhëhiqet edhe në gjuhën e asaj kombësie.
Prandaj, në aspektin kushtetues dhe ligjor, Ministri Toshkovski e ka shumë të lehtë, mjafton të bazohet në Amendamentin V kushtetues të v. 2001 paragrafi 5 ku përcaktohet se, në organet e pushtetit shtetëror në Maqedoni gjuha zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligjin si dhe të miratojë (të përditësojë) Rregullore të re për formën dhe përmbajtjen e formularëve të tri akteve (urdhërpagesë kundërvajtëse, procesverbal për kundërvajtje të kryer në trafik dhe procesverbal për kontrollë të rregullshmërisë teknike) ku do të thirret në nenin 6 (paragrafët 1 dhe 2) të Ligjit të përdorimit të gjuhëve ku përcaktohet se, institucionet nga neni 1 paragrafi 3 dhe neni 2 paragrafi 3 i këtij ligji, janë të detyruar kryesisht (sipas detyrës zyrtare) të sigurojnë përdorimin, komunikimin dhe procedurat të zhvillohen në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni dhe në alfabetin e saj nëse personi përkatësisht pjesëmarrësi flet gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë si dhe të gjitha vendimet dhe aktet e tjera si dhe legjitimacionet që dalin nga kompetenca e institucioneve nga neni 1 paragrafi 3 dhe neni 2 paragrafi 3 i këtij ligji, janë në gjuhën maqedonase dhe në shkrimin cirilik dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni dhe në alfabetin e saj nëse personi përkatësisht pjesëmarrësi flet gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë.
Nëse ndodh kjo gjë në këtë projekt nacional atëherë merita nuk do të jetë individuale vetëm e Ministrit Toshkovski por edhe kolegjiale (solidare) e koalicionit qeveritar VMRO-VLEN-ZNAM me atë që Ministri Toshkovski do të hyjë në histori si ministri i parë i Punëve të Brendshme në historinë e Maqedonisë së pavarur i cili me aktin e tij (Rregullore) mundësoi përdorimin e gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj në procedurë kundërvajtëse para organit kundërvajtës (MPB) por dha edhe një shtytje të madhe që me qindra organe të tjera kundërvajtëse të ndjekin shembullin e MPB si organi më i madh kundërvajtës në shtet.
Shansi nuk duhet humbur: ra ky Qytet i sigurt e me Shqipen e sigurt në të.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)





