Qymyri i Kosovës, Kurti i përgjigjet Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër Ballkanit të Hapur. Ai ka thënë se s’ka Ballkan të Hapur pa qenë gjashtë vendet e rajonit dhe pa trajtim të barabartë. Madje sipas tij, ky ka qenë edhe mesazhi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar.

Kreu i ekzekutivit Kosovar tha se pret nesër nga kancelari gjerman Olaf Scholz mesazhe të qarta për fuqizim të Procesit të Berlinit.

I pyetur nga KosovaPress, rreth ofertës së Serbisë për ofrim të linjitit në këmbim të energjisë elektrike, Kurti, u përgjigj negativisht, duke thënë se Vuçiq prej idesë së shkëmbimit të territoreve, tash po e dëshiron qymyrin e Kosovës.

Ndryshe, dje gjatë samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër, i pyetur nga TV21, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se janë të gatshëm që ta kompensojnë qymyrin e Kosovës, me energji elektrike të gatshme, por nëse është nevoja edhe ta paguajnë me para.