QUO VADIS MAQEDONIA?!

Shkruan: Xhelal Zejneli

Që nga viti 1990 e këndej, Maqedonia ka qenë një vend me numër tejet të madh incidentesh. Pothuajse s’ka pasur vit të ketë kaluar pa incidente. Incidentet në Maqedoni janë përshkuar nga dhuna, nga ndërhyrjet policore dhe nga ndërhyrjet e njësive speciale të forcave “të rendit”. Shumë incidente kanë përfunduar me rrahje, me lëndime, me plagosje dhe me vrasje. Pas incidenteve kanë pasur arrestimet, hetimet, aktakuzat, proceset gjyqësore dhe dënimet drakonike. Viktimë e të gjitha incidenteve të dy dhjetëvjeçarëve të pluralizmit politik dhe ideologjik, rëndom kanë qenë shqiptarët, ndërkaq ushtrues dhune kanë qenë sllavo-maqedonasit.

Mbi shqiptarët në Maqedoni është ushtruar dhunë:

– prej grupeve sllavo-maqedonase;

– prej organeve shtetërore.

Me fjalë të tjera, në periudha të caktuara të njëzet viteve të fundit, mbi shqiptarët në Maqedoni shteti ka ndjekur politikë represive dhe opresion.

Dhuna është ushtruar në shumë mënyra: janë sulmuar nxënësit nëpër shkolla apo nëpër autobusët e qarkullimit qytetor; me pretekste të ndryshme, janë bastisur shtëpitë e shqiptarëve; nga forcat e armatosura – në kohë paqeje – janë sulmuar zona të caktuara të hapësirave shqiptare. Vrasje të caktuara dhe rrëmbime individësh, deri më sot kanë mbetur të pasqaruara.

Gjatë qeverisjes së kryeministrit të përtashëm – NikollaGruevskit dhe VMRO-së së tij, në periudhën e viteve 2006-2012, në Maqedoni u zbatua një politikë ultranacionaliste. Me fjalë të tjera, ultranacionalizmi sllavo-maqedonas u bë politikë e shtetit, d.m.th. e qeverisë. Pjesë e qeverive të viteve 2006-2012 ka qenë edhe faktori politik shqiptar. Nga kjo del se në zbatimin e politikës ultranacionaliste sllavo-maqedonase, duke qenë pjesë e qeverisë, ka marrë pjesë edhe vetë faktori politik shqiptar në Maqedoni. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, duke qenë pjesë e qeverisjes, bëhet kreator dhe zbatues i politikës nacionaliste antishqiptare të partnerit të bashkëqeverisjes – VMRO-së dhe të kryeministrit Gruevski!!

Maqedonia kontestohet nga boshti anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofje:

– Serbia e mohon Kishën Ortodokse Maqedonase;

– Greqia e mohon emrin e shtetit, e rrjedhimisht edhe emrin e gjuhës dhe të kombësisë;

– Bullgaria e mohon gjuhën, kombësinë dhe historinë sllavo-maqedonase, duke thënë se sllavo-maqedonasit janë bullgarë, gjuha që flasin është bullgarishtja, ndërsa historia e tyre nuk është veçse histori bullgare.

Duke qenë të mohuar prej fqinjëve që e rrethojnë, është vetëkuptueshme që sllavo-maqedonasit janë në krizë identiteti.

Politika e VMRO-së dhe e Gruevskit – historikisht e vonuar – ka për qëllim të krijojë kombin maqedonas. Për ta tejkaluar krizën e identitetit, disa akademikë sllavo-maqedonas, prejardhjen e bashkëkombësve të tyre e ndërlidhin me maqedonasit e lashtësisë. Sipas këtyre pseudo-akademikëve, po qe se maqedonasit e sotëm nuk ndërlidhen me ata të lashtësisë, atëherë komb maqedonas në Ballkan nuk ka.

Me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, të kryer para dhjetë vjetësh, sipas të dhënave zyrtare, 25.17 % e popullsisë së këtij vendi janë shqiptarë. Ka që thonë se kjo shifër arrin rreth 30%. Rrjedhimisht, Gruevski dhe partia e tij pengesën më të madhe për ta krijuar kombin maqedonas e shohin te shqiptarët. Përse?! Kështu sepse barazia e plotë e shqiptarëve pashmangshëm do të shpinte ne federalizmin e Maqedonisë. Barazia e plotë do t’u mundësonte shqiptarëve të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Federalizmi i Maqedonisë dhe statusi i popullit shtetformues të shqiptarëve do t’i shuante përfundimisht ëndrrat e VMRO-së për një Maqedoni unitariste, monoetnike dhe centraliste. Maqedoni federale do të thotë Maqedoni dyetnike – shqiptaro-maqedonase.

Për këtë arsye, Gruevski dhe partia e tij, përballë shqiptarëve në Maqedoni kanë kompleks inferioriteti. Për ta kapërcyer këtë kompleks inferioriteti, Gruevski dhe partia e tij, ndaj shqiptarëve në Maqedoni ndjekin politike ultranacionaliste. Nacionalistët maqedonas nuk kanë kapacitet të ballafaqohen me aspiratat grabitqare të boshtit Beograd-Athinë-Sofje. Me shqiptarët ndërkaq, mendojnë se mund t’ia dalin lehtë. Duhet thënë se për arsye pragmatike dhe mbi bazën e antishqiptarizmit të përbashkët, politika e Gruevskit është e afërt me Beogradin.

Shkupi e di se pretendimet historike të boshtit anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofje nuk mund të vihen në veprim për shkak të SHBA-së. Rrjedhimisht, me fqinjët që e kontestojnë, Shkupi s’ka arsye të përplaset. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë janë nën kujdesin e Uashingtonit.

Sipas nacionalistëve të Shkupit sllavo-maqedonasit mund të maten dhe kanë arsye të maten vetëm me shqiptarët brenda. Ndaj, politika nacionaliste e Shkupit nuk manifestohet ndaj  fqinjëve që e kontestojnë, por ndaj shqiptarëve brenda.

Që nga viti 2006 e këndej, në Maqedoni janë duke u zhvilluar dy procese:

– e para, krijimi i kombit maqedonas,

– e dyta, shndërrimi i shqiptarëve në pakicë të papërfillshme.

Procesi i shndërrimit të shqiptarëve në minoritet të nëpërkëmbur mund të ndikojë:

 

– në diskreditimin e luftës së 2001-shit;

– në diskreditimin e Marrëveshjes së Ohrit;

– në diskreditimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

Pjesë e pandarë e kësaj politike dhe strategjie të Gruevski është edhe varfërimi ekonomik i shqiptarëve. Si rrjedhojë e mosinvestimit në viset veri-perëndimore, shqiptarët shpejt do të ballafaqohen me papunësi përmasash tronditëse dhe me probleme sociale shqetësuese. Për të mbijetuar, të rinjtë shqiptarë do t’i marrin rrugët e mërgimit. Politika e krijimit të kombit antik (!!) sllavo-maqedonas, realizohet kryekëput në dëm të shqiptarëve. Kjo politikë e Shkupit krijon një Maqedoni unitariste, centraliste, monoetnike dhe antidemokratike – përkundër përbërjes së saj dyetnike.

Klasa politike dhe inteligjencia shqiptare në Maqedoni janë në letargji të plotë. Shqiptarët në Maqedoni merren me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet në ndërtimin e sallave të fizkulturës në ndonjë shkollë katundi. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, kërkesat kanë qenë dhe duhet të jenë politike, arritjet po ashtu duhet të jenë politike.

Në vitet 2002-2006, shqiptarët në Maqedoni – në frymën e Marrëveshjes së Ohrit(2001) – realizuan kërkesa të caktuara politike. Në vitin 2006, nacionalistët sllavo-maqedonas ngritën  zhurmë të madhe duke thënë se shqiptarët fituan shumë. Për këtë e fajësuan LSDM-në, që sot është në opozitë. Që nga viti 2006 e këndej, kërkesat e faktorit politik shqiptar kanë hasur në vesh të shurdhët – voxclamantis in deserto. Që atëherë LSDM-ja vazhdimisht është duke i humbur zgjedhjet. Nacionalizmi maqedonas zbriti në popull.

Tragjedia e shqiptarëve në Maqedoni qëndron në faktin se kërkojnë të drejta. Në të vërtetë shqiptarët, duke qenë popull autokton, nuk duhet të kërkojnë të drejta prej askujt. Aq më pak nga pala sllavo-maqedonase. Shqiptarët në tokë të vet, të drejtat e veta – historikisht të justifikueshme – duhet t’i realizojnë pa i kërkuar prej ndokujt. Kërkesat për të drejta drejtuar palës maqedonase jepen vetëm në shtratin e Prokrustit.

***

Terri informativ që imponon qeveria e përtashme – Politika e qeverisë së Gruevskit çon në krijimin e një shteti diktatorial, me tendencën për t’i vënë nën kontroll të caktuar edhe mediumet. Të ndalohet liria e shtypit, liria e fjalës, liria e të shprehurit në kohën e antenës satelitore, të telefonisë celulare, të internetit dhe të telefaksit është absurde dhe punë Sizifi.

Shënim: Sizifi ishte bir i perëndisë së erërave Eolit, mbretit të Korintit. Kishte qasje në tryezën e perëndive, por këtë mundësi e shfrytëzonte dhe ua jepte njerëzve fshehtësitë hyjnore. Për këtë arsye u dënua që ta vendoste në maje të malit një kep. Sapo mbërrinte në maje, kepi  çrrokullisej teposhtë dhe ky ia niste nga e para. Kurrë s’ia doli ta vendoste gurin e rëndë në maje. (“Odiseja”, e Homerit,kënga XI, vargjet 593-600). Punë Sizifi– punë e lodhshme dhe e pafrytshme, e rëndë dhe e kotë pa kuptim dhe pa qëllim. Kompleksi i Sizifit– term në psikanalizë për ndjenjën e frikës nga mossuksesi eventual pikërisht në momentin kur duhet arritur një qëllim.

*   *   *

Të imponosh errësirë informativ në shekullin XXI, në një vend me pozitë gjeografike në Evropë, që i aspiron euro-integrimet – nuk i bën nder botës demokratike. T’u kanosesh mediumeve me fjalët: “…  mediumet të cilat do të botojnë shkrime që mbjellin urrejtje ndëretnike do të ndëshkohen…” do të thotë të bësh ndërrimin e tezave.

Nuk janë mediumet ato që i shkaktojnë incidentet, por është politika e papërgjegjshme e Gruevskit dhe e partisë së tij që krijojnë terren për incidente të vazhdueshme. Sipas apelit të sipërthënë të qeveritarëve të përtashëm të Shkupit, mediumet në Maqedoni u dashka të botojnë vetëm tekste për hurmat dhe për salep-shitësit e Lindjes së Afërt. Sipas tyre, drejtuesit e mediumeve duhet të shndërrohen në punëtorë me mëditje që luftojnë për bukën gojës dhe jo të jenë  kreatorë të mendimit politik, të kritikës politike apo të kritikës sociale. Gazetaria në botën e lirë ku mëton të hyjë ky vend, është veprimtari kreative dhe jo përulje para pushtetarëve injorantë. Kjo të përkujton bolshevizmin e JosipVisarionoviç Stalinit(1879-1953) të paraqitur në veprën “Arkipelagu Gulag”Aleksandër IsaeviçSolzhenjicin.

Shënim: Aleksandër IsaeviçSolzhenjicin (1918-2008) është romancier rus, filozof, historian, shkrimtar tregimesh të shkurtra, antistalinist, i burgosur politik. Më 1970 u laurua me çmimin “Nobel”. Pak para vdekjes, lidhur me Kosovën u prononcua në favor të Serbisë.

*   *   *

Qeveria e Gruevskit, në kohën e pluralizmit, synon të imponojë njëmendësi politike dhe ideologjike.

Në shërbim të politikës antishqiptare të Shkupit, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, vihen edhe disa të ashtuquajtur analistë dhe krijues të opinioneve. Këta farë analistë dhe opinion-bërës nuk janë veçse kuislingë, mercenarë dhe antishqiptarë. Nuk janë veçse instrumente të shtetit, në funksion të krijimit të një Maqedonie monoetnike.

Sipas qeverisë së përtashme të Gruevskit, mund të shkruash çmos, por jo edhe ide dhe ideologji kombëtare. Mund të shkruash çmos, por jo edhe të kritikosh – qoftë edhe në mënyrën më të butë – pushtetarët dhe qeveritarët. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shkupit nuk duhet të harrojnë se një prej detyrave të një qytetari, për të mos thënë të një intelektuali – është kritika politike dhe kritika shoqërore. Krejt kjo, në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike në shoqëri.

Dihet cilat shkrime nuk duhet të gjejnë hapësirë në mediume: ato që mbjellin gjuhën e urrejtjes, sugjerojnë mjetet violente, propagandojnë ksenofobi, nxisin jotolerancë ndëretnike, fetare, sociale dhe racore, gjykojnë me stereotipe dhe paragjykime. Praktika e ka dëshmuar se një politikë është e fortë vetëm kur e lejon kritikën politike. Një shoqëri forcohet vetëm kur i kërkon në vetvete të metat e saj. Lirinë e fjalës e kanë sugjeruar iluministët francezë qysh në shekullin XVIII:

– shkrimtari i gjithanshëm francez (poet, romancier, dramaturg, kritik letrar, publicist), historiani, përfaqësuesi i shquar i filozofisë iluministe në Evropë – Volteri(Voltaire, pseudonim për François-MarieArouet, 1694-1778);

– romancieri francez, filozof, teoricien social-politik dhe bashkëpunëtor i EnciklopedisëZhan-ZhakRuso (Jean-Jacques, 1712-1778);

shkrimtari dhe filozofi francez DëniDidëro(DenisDiderot, 1713-1784);

– matematikani, fizikani dhe filozofi francez Dalamber(Jean le Rondd’Alembert, 1717-1783), i njohur edhe për kërkimet matematikore (barazimet diferenciale;derivatet e pjesshme, parciale); dhe

enciklopedistët francezë.(Enciklopedistë quheshin grupi i bashkëpunëtorëve rreth Enciklopedisë së Francës, që u botua në vitet 1751-1780, në krye me Didëronë dhe Dalamberin. Ndihmuan me përkushtim edhe Volteri dhe Rusoi).

***

Si do të hyjë ky vend në NATO dhe në BE me një ideologji kombëtare të tipit të shekullit XIX?! Politika e sotme e Shkupit i komprometon dhe i diskrediton: faktorin ndërkombëtar, qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën, si dhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Politika e Gruevskit ka për synim t’i disiplinojë shqiptarët. Dhuna që është ushtruar mbi shqiptarët vitet e fundit, nuk është ushtruar as para vitit 2001. Ka edhe të tillë që thonë – as në kohën e komunizmit.

Duke qenë se Maqedonia është një vend dyetnik, atëbotë puna e parë që duhet të bëjnë qeveritë e saj është kujdesi maksimal për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të shëndosha. Politika e Gruevskit e bën të kundërtën – marrëdhëniet ndëretnike i rrënon në themel. Nacionalizmi i VMRO-së krijon klimë antishqiptare. Të rinjtë sllavo-maqedonas edukohen dhe rriten nën frymën e antishqiptarizmit.

Antishqiptarizmi është në fakt produkt i politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Nga ky këndvështrim duhet parë të gjitha incidentet që ndodhin në Maqedoni. Me fjalë të tjera, edhe incidentet në këtë vend janë pjellë e politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Politika e Gruevskit vetvetiu gjeneron krizë, saqë krizat në Maqedoni janë bërë normale. Ky vend është mësuar me kriza. Ato janë përditshmëri e tij. Çdo dy-tre muaj ndodh nga një incident dhe herë-herë me pasoja tragjike.

Brohoritjet e shpeshta të të rinjve sllavo-maqedonas nëpër stadiume dhe në hapësira të tjera publike, me përmbajtje antishqiptare, si:

– Vdekje shqiptarëve;

– Dhoma gazi për shqiptarët;

– Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur;

– Cenimi vulgar i integritetit dhe i dinjitetit të femrës shqiptare, si dhe parulla të tjera me përmbajtje shoviniste, duhej ta alarmonin me kohë qytetarinë maqedonase, klasën politike dhe qeverinë. Ndërhyrjet e organeve të rendit dhe atyre të gjyqësisë, në raste të tilla është puna e fundit që duhet bërë. Cili shqiptar pas këtyre parullave antishqiptare do ta ndjejë Maqedoninë si shtete të vetin?! Nacionalizmi sllavo-maqedonas, me automatizëm nxit nacionalizmin shqiptar.

Thelbi i nacionalizmit maqedonas është:

– Maqedonia është shtet nacional i maqedonasve, të gjithë të tjerët janë minoritet;

– Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët në Maqedoni e kanë Shqipërinë dhe Kosovën; këtu nuk janë veçse minoritet.

Nacionalistët maqedonas duhet ta dinë se Maqedonia paraqet raport forcash shqiptaro-maqedonase. Jashtë këtij raporti, nuk ka Maqedoni. Jashtë këtij raporti ka vetëm një Maqedoni jostabël, të paqëndrueshme me tensione ndëretnike permanente.

Pas çdo incidenti në Maqedoni, pasojnë edhe interpretimet:

– incidentet i shkakton qëllimisht Gruevski, në shenjë trysnie para samitit të NATO-s në Çikago…;

– incidentet i shkakton qëllimisht qeveria për t’ua tërhequr vëmendjen qytetarëve prej problemeve reale;

– incidentet i shkakton Serbia, për ta destabilizuar Maqedoninë dhe rajonin;

– incidentet janë pasojë normale e krizës ekonomike dhe sociale;

– incidentet i shkakton Gruevski për të gjetur pretekst për të ushtruar represion dhe opresion mbi shqiptarët.

Me rëndësi është një gjë: politika e Gruevskit dhe e VMRO-së, duke qenë ultranacionaliste dhe antishqiptare, është vatra e krizës, gjeneron krizë dhe është kriza vetë.

Pas çdo incidenti në Maqedoni pasojnë edhe klishetë dhe refrenet e faktorëve të caktuar:

– Faktori politik shqiptar në Maqedoni gjithmonë del me të njëjtën deklaratë: “…ruani gjakftohtësinë dhe mos bini pre e provokimeve…”

– Autoritet e Tiranës dalin me prononcimin: “…ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera…”

– Udhëheqja e Prishtinës del me deklaratën: “…ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë mbizotërojnë marrëdhënie të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë…”;

– Faktori ndërkombëtar apelon: “…të zihen fajtorët dhe të nxirren para drejtësisë…”

Për hir të perspektivës së përbashkët nacionalistët sllavo-maqedonas duhet:

–  të heqin dorë nga krijimi i një kombi artificial;

– të rishqyrtojnë politikën nacional-romantike të tipit të shekullit XIX;

– të heqin dorë nga politika antishqiptare;

– ta pranojnë realitetin shqiptar dhe t’ua njohin shqiptarëve statusin e popullit shtetformues;

– të kultivojnë marrëdhënie ndëretnike të shëndosha;

– ta ndërrojnë emrin, në kompromis me Greqinë;

– të krijojnë një Maqedoni stabile, të qëndrueshme si parakusht për sjelljen e investimeve të jashtme; dhe

– të integrohen në botën euroatlantike.

 

Marrëdhënie të mira ndëretnike, me shqiptarë të shtypur, të përkujton utopinë e JosipBrozTitos (1892-1980) mbi vëllazërim-bashkimin midis kombeve dhe kombësive. Vetëm dy popuj të barabartë mund të bashkëjetojnë në paqe, në harmoni dhe në prosperitet.

Ndryshe, krizat në Makondonmarkeziane do të riciklohen prore.