Qoku: BDI e nëpërkëmbi shqipen në praktikë, ndërsa e shiste si sukses politik

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar si një “iluzion të institucionalizuar” pretendimin për barazi gjuhësore.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë po e shohin gjithnjë e më shumë VLEN-in si alternativë reale, pasi besojnë se kërkesat e tyre mund të trajtohen seriozisht dhe të marrin zgjidhje konkrete.

Qoku kritikon ashpër strukturat politike që kanë qëndruar gjatë në pushtet, duke theksuar se qëndrimi mbi dy dekada në qeverisje dëmton demokracinë dhe deformon të vërtetën.

Ai shprehet se deklarimi se gjuha shqipe është zyrtare në vend është rezultat i një propagande të gjatë dhe të mirëorganizuar. Sipas tij, as në Kushtetutë dhe as në Ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk përmendet në mënyrë eksplicite “gjuha shqipe” si gjuhë zyrtare, por ajo trajtohet përmes përqindjes prej 20%, duke u renditur praktikisht në kategorinë e gjuhëve të pakicave.

Deputeti thekson se në praktikë, shqipja nuk mund të përdoret si gjuhë e vetme në asnjë institucion shtetëror. Çdo dokument në shqip duhet të shoqërohet me version në maqedonisht, ndërsa e kundërta nuk vlen, pasi gjuha maqedonase mund të përdoret e vetme pa kufizime ligjore.

Ai shton se ky realitet përjetohet çdo ditë nga qytetarët shqiptarë, të cilët nuk mund të kryejnë procedura institucionale vetëm në gjuhën e tyre amtare, edhe në komunat ku përbëjnë shumicë dërrmuese.

Qoku kritikon gjithashtu një pjesë të intelektualëve dhe opinionistëve, të cilët, sipas tij, vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë narracion, duke penguar përballjen me realitetin.

Në përfundim, ai thekson se “barazia gjuhësore” në vend mbetet një iluzion i ndërtuar dhe i mirëmbajtur për më shumë se dy dekada, ndërsa përpjekjet për ta sfiduar këtë realitet do të përballen me rezistencë. (INA)