Qeveria teknike, takohen të shtunën Zaev e Mickoski

Kryeministri i vendit Zoran Zaev të shtunën në orën 17:00 në Qeveri do të mbajë takim me liderin opozitarë, Hristian Mickoski.

Sipas burimeve qeveritare, Zaev dhe Mickoski do të kenë konsultime për qeverinë teknike.

Në pajtim me ligjin, opozita duhet të vijë në konsultim për propozimin për ministër të Punëve të Brendshme dhe ai të pranohet nga pushteti (dy partitë më të mëdha).

Në takimin e liderëve tek presidenti, Stevo Pendarovski, u arrit marrëveshje që më 12 prill të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në pajtim me procedurën, 90 ditë para zgjedhjeve duhet të formohet qeveria teknike, që i bie kjo të ndodhë më 3 janar.

Kryeministri Zaev në intervistën e mbrëmshme në emisionin “Magazina Ekonomike” deklaroi se në vitin 2020 do të ketë zgjedhje, por nëse ato do të mbahen më 12 prill, do të varet nga qasja e opozitës ndaj Kuvendit. Zaev edhe paraprakisht deklaroi se zgjedhjet mund të shtyhen, gjithnjë derisa opozita në Parlament i bllokon ligjet prej të cilave varen rrogat, pensionet dhe investimet.