Qeveria ta shpartallojë krimin serb në veri / Vuçiqit, Vulinit, Daçiqit t’i jepet leksion

Nga Idriz Morina

Sipas zëdhënësit të Bashkimi Evropian, Peter Stano, ky institucion nuk ndërhyn në dialog, por vetëm ndërmjetëson.

“Shumë çështje që po shkaktojnë irritim në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë quhet dialog i ndërmjetësuar, jo i detyrueshëm. Ne mund të ndërmjetësojnë për aq sa ekziston gatishmëria nga të dyja palët për të gjetur zgjidhje kompromisi”, ka thënë ai të enjten në Bruksel.

Do të doja që ky të jetë një postulat i vërtetë dhe që BE-ja vërtetë ta aplikonte ndaj Kosovës, dhe jo sikurse ka ndodhur deri më sot, duke i shtyrë shqiptarët nga bisedimet në bisedime, nga zvetënimi i objektivit për shtet sovran (në Vjenë), në zvetënimin e vetë shtetit (në Bruksel)!

“Mjaft është mjaft”, mjaft kompromiseve!

Pra, ka ardhur koha, ti thuhet Serbisë dhe mbështetësve të saj, “Mjaft është mjaft”, atë që e tha presidenti Bush, para se të shpallej Pavarësia e Kosovës.

Në fund të fundit, janë ndërkombëtarët që Kosovën e kanë projektuar shtet të qytetarëve dhe jo shtet të shqiptarëve. Pra, nuk mund dhe nuk duhet të ketë një shtet për të gjithë, përfshirë serbët, dhe një autonomi vetëm për serbët. Si është e mundur që një komunitet të jetë i barabartë me të gjithë brenda një shteti dhe njëkohësisht të ketë të drejta ekskluzive dhe superiore ndaj të tjerëve, në territore të caktuara (Asociacioni).

A nuk është ky diskriminim dhe shkelje e të drejtave të shumicës absolute, të shqiptarëve, por edhe të tjerëve.

Nëse është kështu, atëherë shqiptarët duhet ta ndryshojnë Kushtetutën dhe ta bëjnë shtet të shqiptarëve, dhe ta përjashtojnë nocionin, i qytetarëve!

Serbia po dëshiron të dialogojë për gjithçka në Kosovë, dhe kësaj po ia arrin fal faktit se bashkësia ndërkombëtare ia ka mundësuar, kryesisht me arsyetimin e ‘përkëdheljes’ së Rusisë. Pra, në të gjitha bisedimet deri më tani, ka folur Rusia, edhe kur ajo s’ka mundur ta bëjë këtë drejtpërdrejtë, ajo ka folur me gojën e Serbisë.

Në bisedimet në Vjenë, është bërë çdo kompromis i mundshëm, dhe pastaj nga 2011 po vazhdojnë bisedimet në Bruksel, të shumtën e kohës pa ndërprerë, dhe duke e shtypur Kosovën dhe shqiptarët në favor të serbëve.

Por, Serbia, siç kemi shkruar 12 vjet më parë, kur është miratuar Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, ajo nuk do të kënaqet kurrë, ashtu edhe siç e ka afirmuar deri tani këtë tezë, dhe se lufta e saj për Kosovën do të vazhdojë.

Pra, ajo bisedimet i ka përdorur si në Vjenë për të arritur tek një dokument (Ahtisari), që prodhon krizë institucionale, e cila zakonisht provokohej nga vetë bashkësia ndërkombëtare, duke i shtyrë institucionet drejt ‘marrëveshjeve të reja’ me Serbinë (Ahtisari plus).

Dhe tashmë po kërkon edhe më shumë, sepse ka arritur afër kulmit, që t’ju sigurojë serbëve një status autonom, madje ajo nuk pretendon fare ta njohë Kosovës, as me asociacionin sipas Kushtetutës së Kosovës, as me atë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo strategji është treguar e gabueshme, pasi nuk e ka përfillur karakterin e etnopsikologjisë, dhe të vetë shtetndërtimit serb.

Pra, Serbia, e ndihmuar edhe nga Rusia, sjelljen në bisedime e kanë projektuar të atillë, që të marrin sa më shumë, në mënyrë që në hapin apo hapat e ardhshme ti afrohen sa më shumë mundësisë së shkatërrimit të sistemit politik unitar të Kosovës, më e pakta marrjes së veriut të vendit.

E ndodhur në një defensivë diplomatike me Kosovën, për shkak të rreshtimit tonë kundër Rusisë, pushtimit të saj në Ukrainë, dhe rreshtimit të hapur të Serbisë pro Rusisë, ka filluar një fushatë drakonike, antishqiptare dhe antiKosovë.

Fushata dhe gënjeshtrat serbe

Autokrati, president i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka rrejtur e mashtruar sot duke thënë se “Prishtina është duke u përgatitur për sulm në veri për vrasjen e serbëve”.

Edhe në trazirat e marsit 2004 serbët kanë vrarë më shumë shqiptarë se sa janë vrarë serbë, kur krejt bota na fajësoi për agresion ndaj serbëve, trashëgimisë së tyre kishtare këtu etj. Perëndimi ra në grackën serbe, sepse edhe atëherë, në ato trazira ajo gjet aleat të mjaftueshëm shqiptarë në krye të partive të dalura nga lufta, që ta ‘kallte’ flakë Kosovën.

Ata të vinin në pushtet dhe Serbia, të fitonte ‘territor diplomatik’, gjë që çoi në bisedimet në Vjenë, në krijimin e një gjysmështeti shqiptar, që ende s’ka pasur kompetenca dhe mundësi t’i shuajë bandat serbe në veri.

Dhe ja ku jemi, para akuzave tmerrësisht të rrejshme, se shqiptarët do të vrasin serb në veri, ndërsa më 31 dhjetor, ishte Vuçiqi dhe e tërë Serbia, ajo që mobilizoi serbët në veri, në një gatishmëri luftimi.

Po, të ishte paqësor, dhe të mos ishte provokatore Serbia, do të heshtte. Prandaj, Qeveria e Kosovës, të gjitha institucionet duhet të verojnë pa hezitim, dhe nga 1 shtatori, të shpartallojnë krimin serb në veri, argatët e krimit Radojçiqin, Veselinoviqin dhe të tjerët, jo të pakët në numër.