Qeveria shënon jubileun e Marrëveshjes së Ohrit

Nën moton “25 vjet e tutje”, në organizim të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, me mbështetjen e Qeverisë, jubileu i nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit do të shënohet me një panel-diskutim ndërkombëtar që po mbahet sot në Klubin e deputetëve, nesër në ditën kryesore me një seancë festive qeveritare si dhe një manifestim kulturor te “Ura e Gurit” në Shkup, përcjell INA.

Në panel-diskutimin ndërkombëtar do të mbahen tre panele me temat “Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe rruga drejt eurointegrimeve”, “E ardhmja e Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërtimi i një paqeje të qëndrueshme” dhe “Decentralizimi dhe zhvillimi lokal si shtylla të demokracisë dhe strategjisë shoqërore”. Në këto panele janë folës bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Agon Ferati, si dhe emra të tjerë të personaliteteve publike vendore dhe ndërkombëtare.

Më 13 gusht do të mbahet seanca festive e Qeverisë, e cila organizohet për të tretin vit me radhë, ku fjalë përshëndetëse do të kenë zëvendëskryeministrat Bekim Sali dhe Aleksandar Nikolloski. Mbrëmjen e 13 gushtit, te Ura e Gurit do të mbahet manifestimi qendror me muzikë moderne dhe klasike.

Nga Ministria theksojnë se shënimi i 25-vjetorit është një mundësi për t’u rikujtuar mbi rëndësinë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, rolin e saj në avancimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe peshën e saj në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Në manifestimin qendror janë të ftuara të gjitha grupet parlamentare nga të gjitha partitë politike.(INA)