Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë tre viteve të fundit ka harxhuar 5 milionë euro duke u furnizuar me makina me “leasing” (mënyrë për të blerë një makineri apo tjera gjëra, pa qenë e nevojshme që të paguhet njëherësh e gjithë vlera, por me këste).
Këto para janë harxhuar në periudhën 2018-2021, u tha në seancën e sotme të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Ka mangësi të dukshme në procesin e planifikimit të aplikimit të këtij opsioni, mbi të gjitha mungesa e një analize gjithëpërfshirëse të aspekteve të justifikimit ekonomik të tij”, paralajmëroi Shemsi Salai, anëtar i Komisionit, përcjell INA.
Komisioni konkludoi se marrëveshjet e qirasë operative zakonisht lidheshin me të njëjtin operator ekonomik që ishte i favorizuar dhe nuk u parapri nga një analizë e përfitimit. Dobësia tjetër e evidentuar në këtë analizë të Antikorrupsionit është mungesa e procedurave apo akteve përkatëse nënligjore që rregullojnë detyrimin për planifikimin e duhur të nevojës për automjete me karakteristika specifike dhe qëllim të saktë nga shërbimi që duhet të kryejë planifikimin me rishikim të detajuar për të gjitha aspektet financiare, të sigurisë, mjedisore dhe të tjera, duke përfshirë kushtet e përdorimit të automjeteve me karakteristika të tilla (orari, përparësia, rrethanat, koha e përdorimit, orët e përdorimit).
Prandaj, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit do t’i dërgojë një analizë të detajuar zëvendëskryeministres për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Grkovska me rekomandim që t’i kushtohet vëmendje lidhjes së marrëveshjeve të lizingut për të mbushur parkun e Qeverisë dhe institucioneve nën juridiksionin e saj.
Sipas raportit përfundimtar të Antikorrupsionit, numri i përgjithshëm i mjeteve motorike në dispozicion të Shërbimeve të Përgjithshme të qeverisë deri më 31.12.2020 ishte 126 automjete, që u janë shpërnda disa institucioneve.(INA)




