Qeveria optimiste për procesin e regjistrimit , vaksinimi çështje vullnetare

Qeverisë i mjafton një thirrje ndaj regjistruesve dhe instruktorëve rajonalë për t’u vaksinuar, si garanci kundër paralajmërimeve të opozitës se pa imunizimin e regjistruesve, procesi statistikor i shtatorit vihet në pikëpyetje. Organi ekzekutiv vlerëson se vaksinimi është çështje vullnetare për të cilin përcaktohet çdo individ, duke mos komentuar kushtin e opozitës nga takimi i liderëve Zaev-Mickoski që ishte pikërisht vaksinimi i regjistruesve.

Pritjet janë që personat e përfshirë në procesin e regjistrimit të vaksinohen në mesin e muajit gusht. Vaksinimi është vullnetar dhe Qeveria bën thirrje që regjistruesit të vaksinohen sepse kjo është në të mirë të interesit publik. Regjistrimi është operacion i rëndësishëm statistikor në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë dhe të japin kontributin maksimal – njoftojnë nga Qeveria.

LSDM-ja shprehet optimiste. Sipas socialdemokratëve, regjistruesit do të vaksinohen gjatë korrikut dhe gushtit, ndërsa nga opozita kërkon që të mos shpik alibi kundër procesit të regjistrimit.

Lidhur me regjistrimin nuk duhet të ketë alibi tek askush dhe nga askush. Në gjysmën e dytë të korrikut do të ketë konkurs për regjistruesit dhe instruktorët rajonalë. Do të thotë që ka kohë të mjaftueshme për t’u vaksinuar me dy dozat. Regjistruesit janë pjesë e grupit të rrezikuar dhe sipas planit kombëtar për vaksinim, ata gjithsesi se do të vaksinohen – tha Lidija Tasevska, LSDM.

Enti Shtetëror i Statistikave si organ kompetent për zbatimin e procesit të regjistrimit ditë më parë njoftoi se konkursi që do të shpallet për regjistruesit e rinj dhe zgjedhja e tyre deri në fillim të gushtit nuk mundëson në aspektin kohorë vaksinimin e regjistruesve, duke shtuar se procesi i imunizimit është vullnetar. Në takimin e fundit Zaev-Mickoski kur u vendos shtyrja e regjistrimit, kushti që opozita maqedonase ta mbështesë dhe njeh procesin ishte imunizimi i 60 për qind të popullatës dhe vaksinimi i personave që përfshihen në realizimin e procesit të regjistrimit./Alsat