Qeveria synon zgjerimin për ta shmangur bllokimin evropian

Partitë kryesore politike që janë pjesë e Qeverisë, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thanë se janë afër arritjes së marrëveshjes për zgjerimin e ekzekutivit apo të shumicës parlamentare, me qëllim formimin e siç thonë një “aleance evropiane”, për përshpejtimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Këtë e kanë thënë edhe drejtuesit e Aleancës për Shqiptarët, me të cilën LSDM-ja dhe BDI-ja po zhvillojnë bisedimet për përfshirjen e saj në Qeveri.

Nisma për zgjerimin e Qeverisë vjen në kohën e intensifikimit të debatit për ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e asaj, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Nëse kjo nuk ndodh, Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, mund t’i bllokojë bisedimet e anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç bëri në nëntor të vitit 2020.

Por, që ndryshimet kushtetuese të bëhen, nevojiten dy të tretat apo 80 nga 120 ulëset e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Shumica parlamentare aktualisht ka 64 deputetë dhe në rast se Aleanca për Shqiptarët me tetë deputetët bëhet pjesë e Qeverisë, atëherë ky numër arrin në 72. Shumica shpreson edhe në votat e disa deputetëve të opozitës maqedonase, por fillimisht është e përqendruar në arritjen e marrëveshjes me Aleancën për Shqiptarët.

 

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një tubim me anëtarët e partisë së tij të mërkurën në mbrëmje, nevojën për formimin e “aleancës evropiane” e arsyetoi me zhvillimet në rajon.

Ai përmendi situatën në Kosovë, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe synimet destabilizuese të Rusisë, që sipas tij mund të kërcënojnë paqen dhe stabilitetin. Ahmeti tha se nevojitet një unifikim mes maqedonasve dhe shqiptarëve që të mos bllokohet procesi i integrimit evropian.

“Ky vend nuk mund të ecë para pa u koordinuar bashkë, e sidomos përgjegjësinë më të madhe e kanë dy komunitet: shqiptarët dhe maqedonasit”, tha ai.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se integrimit i vendit në BE duhet të jetë “mbi interesat e partive politike” me qëllim që sipas tij “të shmangen rreziqet për paqen dhe stabilitetin nga palët e treta, që janë të interesuara për shtrirjen e ndikimit dhe destabilizimin e rajonit”.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se 90 për qind të programin e kanë harmonizuar me Qeverinë dhe se “përveç integrimit në BE, prioritet duhet të ketë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Por, opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE thonë se “qëllimi i partive në pushtet me zgjerimin e shumicës ka për synim shpëtimin e Qeverisë dhe jo integrimin evropian”.

Sipas VMRO DPMNE-së, Qeveria mund të bie në momentin e paraqitjes së mocionit të votëbesimit që po përgatit kjo parti, andaj sipas saj, partitë në pushtet po shpejtojnë me zgjerimin e shumicës me partitë tjera.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjerimi i Qverisë nuk nënkupton shpëtimin e shumicës parlamentare, apo integrimin në BE.

Në këtë rast, sipas tij, janë të gërshetuara interesat pragmore me ato shtetërore në kuptimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, prandaj edhe është i nevojshëm unifikimit mes partive politike.

“Është koha e reflektimit të partive politike të cilat gjithsesi duhet të marrin parasysh edhe kontestin gjeopolitik, por edhe rreziqet që vendi mund të ketë nga bllokada të mundshme, sidomos nga Bullgaria”.

“Po ashtu, duhet të kenë parasysh edhe ndikimet nga jashtë, sidomos nga Rusia e cila mund të rivendos ndonjë bllokadë tjetër nëpërmjet ndikimit të saj në Bullgari, andaj është koha kur duhet të reflektojnë të gjitha partitë politike”, tha ai.

Zgjerimi i Qeverisë maqedonase, sipas përfaqësuesve të partive politike në pushtet, duhet të ndodhë deri në mesin e muajit shkurt, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë ka gjasa reale që Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare./REL