“Qeveria izraelite, mizore dhe fashiste”, Erdogan kritika ndërkombëtarëve: Nuk po bëni presion sa duhet ndaj Netanyahut

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ditën e djeshme bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit për të siguruar që në Gaza të lejohen më shumë ndihma humanitare duke theksuar se Ankaraja do të rrisë mbështetjen e saj gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Turqia, e cila e ka kritikuar ashpër Izraelin për ofensivën e tij ushtarake në Gaza dhe ka mbështetur hapat që udhëheqja izraelite të gjykohet për gjenocid në Gjykatën Botërore, ka bërë thirrje vazhdimisht për një armëpushim, ndërsa ka dërguar më shumë se 40,000 ton ndihma humanitare përmes Egjiptit.

Duke folur në një darkë të agjërimit gjatë Ramazanit me ambasadorët e huaj në Ankara, Erdogan kritikoi vendet perëndimore për mbështetjen e Izraelit, duke thënë se i kishin dhënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mundësinë për të kryer “sulme të egra” në Rripin e Gazës për shkak të qëndrimit të tyre të pavendosur.

“Pavarësisht se çfarë bën udhëheqja izraelite, ajo nuk mund ta fshehë realitetin se është një (qeveri) vrasëse, mizore, kriminale, gënjeshtare dhe fashiste,” tha Erdogan, duke shtuar se vërejtjet e ndërkombëtarëve që bënin thirrje për qetësi ishin të pakuptimta ndërsa mbështetja për Izraelin vazhdonte.

Nga ana tjetër kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi ditën e djeshme se Izraeli do të vazhdojë me sulmet ushtarake në Rafah të Gazës.

Top Channel