Qeveria i aprovoi ndryshimet e Ligjit për Punë të Brendshme

Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Punë të Brendshme e aprovoi Qeveria në seancën e 171-të. Qëllimi themelor i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është mbrojtja e të drejtave nga sfera e sigurimit pensional dhe invalidor të punëtorëve të pensionuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët të drejtën e pensionit e kishin realizuar në periudhën prej 1 janarit të vitit 1994 deri më 20 mars të vitit 2010 vetëm sipas dispozitave të Ligjit që vlente atëherë për sigurim pensional dhe invalidor, me çka do të zbutet padrejtësia ndaj këtyre punëtorëve të pensionuar.

Me ndryshimet e propozuara, këta punëtorë të pensionuar të MPB-së do të kenë të drejtë të pensionit sipas dispozitave të Ligjit të Punëve të Brendshme nga viti 2010, sipas të cilave pensioni i pleqësisë përcaktohet në vlerë prej 80 për qind të neto pagës mesatare mujore të cilën punëtori e kishte realizuar gjatë dhjetë viteve më të favorshme të stazhit pensional.