Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka deklaruar se qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, të destinuara për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginën e Preshevës.
“Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike. Bëhet fjalë për bllokimin e fondeve… që prekin drejtpërdrejt 3650 nxënës, 94 fëmijë pa prind, 957 bujq… dhe mijëra qytetarë”, është shprehur Rexhepi.
Sipas tij, bllokimi po realizohet përmes sistemit bankar nga autoritetet serbe dhe ministri Demo Berisha.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës e ka dënuar këtë veprim, duke e cilësuar si “ndërhyrje të papranueshme” dhe pjesë të një “modeli të përsëritur të bllokimit institucional”.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, bëhet fjalë për mjete të ndara që nga 10 tetori 2025, në vlerë 304 mijë euro, të cilat nuk janë ekzekutuar. Ndërkohë, deri në prill 2026, shuma totale e fondeve të bllokuara ka arritur në mbi 1.8 milionë euro.
Qeveria e Kosovës thekson se kjo praktikë “bie ndesh me standardet ndërkombëtare”, ndërsa ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë, duke kërkuar reagim për çështjen.
Autoritetet kosovare shtojnë se do të vazhdojnë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës “duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe ndërkombëtare” për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre.



