Qeveria sot e shqyrtoi dhe miratoi Informatën lidhur me procedurën për nominimin e lokalitetit Reka e Thellë në Parkun nacional Mavrovë në Listën preliminare të UNESKO-s.
“Lokaliteti Reka e Thellë si pjesë e Parkut nacional Mavrovë ka vlera të jashtëzakonshme natyrore të prezantuara përmes llojllojshmërisë së madhe biologjike dhe të peizazhit. Një nga karakteristikat themelore të këtij lokaliteti është pylli i vjetër (i virgjër) i ahut (Fagus sylvatica) që shtrihet në luginën e Rekës së Thellë në masivin malor të Korabit, me pothuajse kurfarë intervenimi të njeriut në 100 vitet e fundit, thekson shërbimi qeveritar për shtyp.
Sipas Qeverisë, Reka e Thellë karakterizohet me llojllojshmëri të madhe biologjike, lloje të shumta endemike të bimëve dhe kafshëve. Ndodhet në zonën për mbrojtje të rreptë të Parkut nacional Mavrovë dhe në të janë të lejuara vetëm aktivitete shkencore-hulumtuese.