Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur 7 ditë gjendje krize

Sot në seancën e 138-të, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur një javë gjendje krize për shkak problemeve rreth sigurimit të mazutit, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria, në mbledhjen e sotme të rregullt të 138-të qeveritare, me propozim të Komitetit Drejtues për koordinim dhe menaxhim të Sistemit për Menaxhimin e Krizave, miratoi vendim për ekzistencën e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në të gjithë territorin e shtetit, për një periudhë prej 7 ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, raportoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në sqarimin e Qeverisë, theksohet se ky vendim vjen për shkak pamundësisë për sigurimin e mazutit, si një nga kushtet elementare në procesin prodhuesit.

“Siç kemi informuar gjatë ditëve të mëparshme, ky vendim rrjedh si pasojë e pamundësisë për sigurimin e mazutit, i cili është i domosdoshëm në procesin e prodhimit. Rezervat e detyrueshme të derivateve të naftës do të vihen në dispozicion pa kompensim, ndërsa SHA EMV ka për detyrë që për shpenzimin e derivatit të naftës – mazut, të dorëzojë raport pranë Qeverisë dhe Ministrisë së Financave”, raportoi Qeveria.

Askush nuk e di se sa mazut toksik hyn në vend dhe hetimet e injorojnë ndotjen, deklaroi në muajin mars ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Ana Petrovska. Ajo shtoi se, dogana nuk i mat të gjithë parametrat, ndërsa kompanitë kanë fitime të mëdha dhe ndotja mbetet e pazgjidhur.