Qeveria e Kosovës shpalli dy organizata serbe terroriste, ShBA: U bë pa koordinim

Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequra nga NATO. Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy grupeve serbe nga veriu organizata terroriste.

Qeveria, në mbledhjen e djeshme njoftoi se i ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile/Civilna zaštita” dhe komponentën e saj “Brigada e Veriut/Severna brigada”.

Ky vendim, sipas qeverisë, u mor duke u bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës se të njëjtat “paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”.

Por, ShBA-ja, përmes një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, i ka thënë Klankosova.tv se ky veprim u mor pa koordinim me ta dhe me partnerët tjerë ndërkombëtarë.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar ky zëdhënës, në pyetjet dërguar nga Klankosova.tv.

Por, ndryshe nga ShBA-ja u deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili tha se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai në konferencën e djeshme për media pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa shtoi se me kohë do të ndajnë detaje të këtij procesi me partnerët strategjikë.

E DASh-i ndër të tjera tha se i bëjnë thirrje Kosovës “që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Po ashtu, zëdhënësi i DASh-it tha se ShBA-ja “dënon dhunën e papranueshme kundër trupave të KFOR-it të drejtuar nga NATO-ja”.

“Ata që janë përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi, duke ndjekur një proces të rregullt dhe me transparencë të plotë”, ka deklaruar ky zëdhënës.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë ekskluzive për Rubikon me Adriatik Kelmendin, tha mbrëmë se kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës atje, për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe stabilitetit rajonal.

Por sipas amerikanit kryesor në Prishtinë, SHBA-ja është e shqetësuar pasi Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave.