Qeveria e Kosovës parashikon rritje ekonomike për 10 për qind, por ja çka thonë ekonomistët

Përkundër që me rishikim të buxhetit 2021 është paraparë norma e rritjes ekonomike 7.9 për qind, tashmë të dhënat e fundit zyrtare nga qeveria flasin për një rritje edhe më të lartë, deri në 10 për qind. Por njohës të ekonomisë vlerësojnë se mundësitë për realizimin e një norme të madhe ekonomike nuk ekzistojnë, veçse nëse ndodhin investime të mëdha miliardëshe.

Po ashtu edhe FMN nuk ka paraparë një rritje më të madhe se 6 për qind.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli thotë se projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 për qind nga ana e Ministrisë së Financave është rritur edhe më tej.

Sipas saj, kjo ka ndodh për shkak se janë shënuar rezultate shumë më të mira sesa që janë pritur në të hyra buxhetore, qarkullim të bizneseve, eksport, import dhe konsum. Andaj shton se presin që rritja ekonomike sivjet të arrijë rreth 10 për qind.

“Me kënaqësi e them që projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 për qind nga ana e Ministrisë së Financave ndërkohë është rritur edhe më tej, tani më presim që rritja ekonomike të arrijë sipas projeksioneve gjithmonë, sivjet të arrijë 10 për qind. Ky është projeksioni i fundit, projeksioni mund edhe të ndryshojnë me kalimin e kohës derisa të dhënat rifreskohen. Arsyeja për këtë rifreskim është se në këta muaj të vitit që kanë kaluar ne kemi shënuar rezultate shumë më të mira sesa që kemi pritur edhe në eksport, në import, konsum edhe në qarkullimin e firmave, të hyrave buxhetore të inkasuara, do të thotë të gjithë indikatorët që i kemi deri tani tregojnë që rimëkëmbja ekonomike do të jetë shumë më e shpejtë sesa që është pritur për këtë vit”, deklaron Rizvanolli.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thekson se projeksioni i rritjes ekonomike nga Qeveria mund të arrihet nëse nxiten aktivitetet ekonomike dhe investimet e huaja.

Përveç kësaj, Zeka thotë se kërkohen veprime konkrete nga qeveria, edhe për mbështetjen e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat kanë pësuar gjatë pandemisë Covid-19.

“Për mos tingëlluar pesimist gjithmonë është reale, gjithmonë është e mundur, por megjithatë duhet të shihet në veprime konkrete, dhe njëra prej këtyre veprimeve është përkrahja e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat janë goditur gjatë këtij viti të kaluar, por jo vetëm. Në të njëjtën kohë edhe përmirësimi i ofertës për investitorë të huaj. Gjetja e mënyrës dhe bindjes për investitorë nga diaspora që të investojnë në vendin tonë ashtu edhe investitorëve të tjerë të huaj në të njëjtën kohë, edhe krejt për fund meqenëse është aspekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, është që edhe projektet e investimeve kapitale e infrastrukturore meqenëse këtu nuk ka pasur nga qeveria e re. Kështu që nëse kombinohen të gjitha këto elemente, rritja e aktivitetit ekonomik të sektorit të brendshëm, nxitja e investimeve të jashtme përfshirë këtu edhe investimet nga diaspora dhe vazhdimi i investimeve publike, atëherë natyrisht që kjo normë e rritjes ekonomike e paraparë nga qeveria nuk është diçka që nuk mund të arrihet”, thekson Zeka.

Po ashtu edhe profesori universitar Musa Limani thotë se dëshira e qeverisë dhe të gjithëve është që të arrihet një normë sa më e lartë e zhvillimit ekonomik, por mundësitë për realizimin e asaj norme të madhe nuk ekzistojnë.

“Atë që e ka propozuar qeveria prej 7.9 përqind, unë mendoj se nuk mund të realizohet duke pasur parasysh gjendjen faktike të ekonomisë së Kosovës. Prandaj, lidhur me këtë do të thosha se dëshirat janë diçka tjetër kurse mundësitë janë diçka tjetër. Dëshira e të gjithë neve dhe qeverisë është që të realizojmë një normë sa më të lartë të zhvillimit ekonomi, mirëpo mundësitë për realizimin e një norme të madhe nuk ekzistojnë. Janë të përkufizuara. Për me arritur një dinamikë dhe normë të lartë të zhvillimit ekonomik nevojiten investime shumë të mëdha, do të thotë me miliarda… Sugjeroj që qeveria të orientohet kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shprehet Musa.

Ndërsa profesori tjetër universitar Muhamet Sadiku thotë se që të ketë vendi një normë kaq të madhe ekonomike, kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm i Qeverisë në aspektin ekonomik.

Sadiku shton se Kosova gjithnjë është e renditur në fundin e shteteve në Evropë për zhvillim ekonomik.

“Janë vlerësimet makro ekonomike se Kosova duhet të kaloj në mbi 7-8 përqind të rritjes ekonomike, mirëpo që të arrihet kjo kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm në qeverisëse për këto procese… Varfëria dhe papunësia janë armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kosova ka nevojë që përfitimet ekonomike t’u shpërndahen të gjithëve, edhe atyre që janë në varfëri dhe të papunë”, thotë ai.

Në anën tjetër në FMN thonë se nisja e procesit të vaksinimit të qytetarëve në Kosovë kundër sëmundjes COVID-19 dhe ardhja e qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind brenda vitit 2021.