Qeveria e Groenlandës ka deklaruar se “nuk mund ta pranojë në asnjë rrethanë” marrjen e kontrollit ose pushtimin e ishullit nga Shtetet e Bashkuara, duke reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili riafirmoi interesin e tij për territorin strategjik të Arktikut.
Ishulli, i cili është një territor kryesisht vetëqeverisës dhe pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, Trump tha se SHBA-të do ta merrnin Groenlandën “në një mënyrë ose në tjetrën”, duke argumentuar se kontrolli i saj është i domosdoshëm për rritjen e sigurisë në Arktik përballë kërcënimeve të supozuara nga Kina dhe Rusia.
Në një deklaratë zyrtare, qeveria e Groenlandës theksoi se ishulli është “pjesë e mbretërisë së Danimarkës” dhe, si i tillë, anëtar i NATO-s. Ajo shtoi se do të rrisë përpjekjet për të siguruar që mbrojtja dhe siguria e territorit të zhvillohen brenda kornizës së Aleancës Veri-Atlantike.
Deklarata nënvizoi gjithashtu se koalicioni qeverisës beson se Groenlanda do të mbetet përgjithmonë pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes dhe se të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë SHBA-të, kanë një interes të përbashkët në mbrojtjen e ishullit.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se aleanca po punon për të forcuar sigurinë në rajonin e Arktikut, duke shtuar se NATO po shqyrton “hapat e ardhshëm për t’u siguruar që të mbrojmë kolektivisht atë që është në rrezik”.




