Ndërlidhja e heqjes së masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian me zgjedhjet parlamentare të parakohshme m 28 dhjetor është konsideruar e paarsyeshme nga Qeveria e Kosovës.
Në një përgjigje për KOHËN, Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asnjë lidhje me procesin e heqjes së masave nga BE-ja dhe se Kosova ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.
“Së fundmi, Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.
Ai ka shtuar se masat u vendosën padrejtësisht ndaj Kosovës.
“Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë në realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, ka thënë Kadiu.
Dy ditë më parë, Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.




