Qeveria autorizoi Arben Fetain për të përfaqësuar vendin në Komisionin e Venedikut

Me konkluzion të miratuar në seancën e djeshme qeveritare, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka autorizuar zëvendëskryeministrin Arben Fetai që, në emër të Kryeministrit Hristijan Mickoski, ta përfaqësojë Qeverinë në sesionin plenar të Komisionit të Venedikut, i cili do të mbahet më 12 dhe 13 dhjetor 2025 në Venecia, Itali, transmeton Portalb.mk.

Në rend dite të këtij sesioni është shqyrtimi i Projektligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilin Qeveria e ka miratuar si zgjidhje ligjore për rregullimin e plotë të parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore dhe publike.

“Ky ligj është akt sistemor dhe institucional me rëndësi të veçantë, sepse për herë të parë e definon qartë me ligj parimin që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, duke paraparë mekanizma funksionalë zbatimi dhe krijimin e një trupi koordinues ndërinstitucional përgjegjës për implementimin e tij”, thuhet në njoftimin e kabinetit të zëvendëskryeministrin.

Zëvendëskryeministri Fetai ka theksuar se miratimi i këtij ligji korrigjon një padrejtësi institucionale të trashëguar më shumë se 20 vjet dhe vendos bazë të qëndrueshme ligjore për barazi reale në administratën publike dhe në institucionet e shtetit.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se menjëherë pas marrjes së opinionit përfundimtar nga Komisioni i Venedikut, ligji do të procedohet për miratim në Kuvend.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me një metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Në fillim të shtatorit, delegacioni i Komisionit të Venedikut, erdhi në Shkup për të vlerësuar për së afërmi procesin e krijimit të ligjit duke u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së RMV-së. Ata u takuan edhe me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe gjyqtaren Ana Pavllovska Daneva. Delegacioni, siç njoftoi Gjykata, ishin të interesuar për kuptimin dhe përmbajtjen e vendimit për shfuqizimin e Balancuesit.

Kujtojmë se pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Maqedoni, ka një vit që nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.
Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e “Balancues”-it, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. Për çështjen në fjalë pati reagime nga opozita se shqiptarët po anashkalohen për t’u punësuar bashkëqytetarët maqedonas. Nga ana tjerët, partia shqiptare në pushtet i mohon këto akuza.

Lënda për shfuqizimin e “Balancuesit” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.