Vajzën që po shihini është sulmuar sot nga qentë endacakë në orët e para ditës në lagjen studentëve pranë Universitetit të Tetovës. Nga videot mund të shihet se ajo duke ikur nga qentë endacakë rrëzohet, ndërsa ndihmën që ja ofrojnë dy të rijnë e shpëtojnë nga kafshimet.
TV21 ishte në lagjen ku edhe ka ndodhur sulmi. Banorët ishin të revoltuar, ata në vend të deklaratave na dhanë video tjera ku shihen sulmet e qenve ndaj nxënësve.
Pyetëm në komunën e Tetovës se sa persona janë kafshuar nga qentë endacakë, dhe sa prej tyre kanë marr dëmshpërblime.
“Lëndë të përfunduara me aktgjykim të plotfuqishëm janë 34 ,ndërsa lëndë që kanë përfunduar me marrëveshje gjyqësore janë 18. Komisioni i krijuar për të trajtuar këtë çështje ka mbajtur dy seanca deri më tani, dhe nga 53 kërkesat që kemi pranuar, 15 prej tyre janë shqyrtuar. Në total 13 prej tyre janë miratuar, 1 është refuzuar si e pa bazë dhe 1 është kthyer për rishqyrtim. Kjo tregon se ne jemi duke i trajtuar këto kërkesa seriozisht dhe me kujdes.”- deklaroi Komuna e Tetovës.
Ndërsa nga SPB Tetovë thonë se deri në këtë sektor vetëm gjatë vitit 2023 janë paraqitur 42 qytetarë që kanë denoncuar për sulm nga qentë endacak.
“Gjatë vitit 2023 duke përfshirë edhe sot, në SPB Tetovë janë paraqitur gjithsej 42 qytetarë që janë kafshuar nga qentë endacak. Ndërsa gjatë vitit 2022 janë paraqitur gjithsej 59 qytetarë që janë kafshuar nga qentë endacak.”- deklaroi – SPB Tetovë.
Në Tetovë për momentin askush nuk i trajton qentë endacakë. Jozyrtarisht në Tetovë ka mbi 500 qen endacakë që pothuajse për çdo ditë sulmojnë qytetarët.