“Qëllimet janë të errëta”, publicisti ‘shpërthen’ ndaj Ramës: Po sakrifikon Kosovën – ja plani i tij për ta shpëtuar Vuçiqin!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i zëshëm ndaj zhvillimeve të fundit në komunat veriore të Kosovës.

Madje, ai ditë më parë ua dorëzoi udhëheqësve të Francës dhe Gjermanisë një draft-statut për themelimin e Asocaicionit në Kosovë.

Fatkeqësisht, Rama ka zgjedhur të mos e përkrah Kosovën në përballjen e saj me Serbinë e Vuçiqit, ku në vazhdimësi ka kritikuar kryeministrin tonë, Albin Kurti.

Me reagimet e tij, kryeministri i Shqipërisë, po refuzon ta ndihmojë Kosovën, në një kohë kur më së shumti ka nevojë për bashkëpunim mes dy shteteve shqiptare.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” kritikoi draftin e propozuar nga Edi Rama në lidhje me formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Së pari, ai hodhi dyshime mbi mënyrën se si Rama ua dorëzoi Scholzit dhe Macronit, ‘fshehurazi’ pa u konsultuar me Kurtin.

“Dilema: Çfarë mund të fshihet pas Draft-statutit për Asociacionin, të propozuar presidentit Macron dhe kancelarit Scholz? Pse nuk u konsultua me Kurtin njëherë, po e dorëzoi “fshehurazi” këtë propozim?! A mjafton të besojmë me përfoljet se Ramës i pëlqen personalizimi, bujëshmëria, qoftë edhe me daljen e tij lakuriq në plazhin publik, duke qenë pedagog dhe figurë publike?!

“Drafti për Asociacionin është konfidencial, pjesë e organizimit të jetës të Kosovës. Por nuk do të bëhet kurrë publik”, – deklaron kryeministri Rama. Dhe, kjo ngjallë jo vetëm kërshërinë për ta zbuluar brendinë e tij, por edhe dyshimin e madh e konspirativ, për dokumentin në fjalë, që “nuk janë deklarata, por dokumente që qarkullojnë“, deklaroi publicisti.

Gjithashtu, Zeqiraj tha se kjo është edhe një përpjekje tjetër e kryeministrit shqiptar për ta ‘shpëtuar’ Vuçiqn, pas protestave masive qe po mbahen në Beograd.

Image

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Derisa, tha se kërkesa e Ramës me presidentin serb janë të njëjta.

“Një dyshim tjetër, goxha i bazuar, është edhe përpjekja e Ramës, për ta shpëtuar Vuçiqin nga vet serbët, të cilët, përtej një jave, kanë vërshuar në protesta rrugëve e sheshe të Beogradit, me kërkesën e rrëzimit të autokratit Vuçiq, i cili ka shkatërruar opozitën serbe, njësoj si Rama rrënimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Kundërshtia dhe kërkesat e Ramës ndaj Kurtit, janë të njëjtat me ato të Vuçiqit:

Duhet tërhequr policia e Kosovës menjëherë nga veriu, sepse aty është KFOR-i;

Të largohen kryetarët shqiptarë të komunave, çfarë duan atje;

Duhen shpallur zgjedhjet e reja menjëherë dhe “xhevahire” tjera “alla Rama””, theksoi ai.

Krahas kësaj, publicisti tha se Ramës nuk i bënë përshtypje ngritja e flamurit të Kosovës në komunat veriore, por merret me Asociacionin, qëllimin kryesor të shtetit serb.

“Kryeministri Rama nuk vlerëson fare ngritjen, për herë të parë, të flamurit të Kosovës, në godinat komunale. Dhe, as nuk merakoset se me largimin e policisë, flamurët do të hiqen e përdhosen nga bandat kriminale serbe, duke mos mbetur asnjë shenjë sovraniteti, duke e lënë veriun e Kosovës në mëshirën e pamëshirë të “milicisë fashiste të Beogradit”!

Detaje domethënëse nga Drafti i Ramës: “Nuk merret fare me njohjen e Kosovës nga Serbia! Pra, Drafti s`ka lidhje me njohjen, do zgjidhë çështjen e Asociacionit. Asociacioni zgjidhë nyjën gordiane!” Pikërisht, në këto kërkesa ngulmon edhe Vuçiqi me serbët e tij”, nënvizoi Zeqiraj.

Po ashtu, ai radhiti disa fakte që tregojnë lidhjet e afërta të Ramës me Sorosët, e që sipas tij janë shumë shqetësuese për shqiptarët, pasi dihen pretnedimet për Trepçën dhe Ujmanin.

“Disa fakte që dëshmojnë për miqësinë e kryeministrit shqiptar, Rama, me Sorosët senior dhe junior, janë shqetësuese për shqiptarët. Së fundi, babë e bir, miratojnë pretendimet e Serbisë për Trepçën, e, ndoshta, edhe për Ujmanin. Konspiracionin e Ramës me greko-amerikanët, e kishte denoncuar me kohë kreu i të djathtës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha.

Afera e Ramës me ish-shefin e FBI-së, McGonigal, tashmë, i arrestuar në Amerikë, janë pjesë të intrigës, për të dhënë informacion tërësisht të gabuar DASH-it amerikan, me qëllim të shpalljes “non grata” të Dr. Berishës me familje! Në njërin nga televizionet shqiptare, të kryeministrit Rama, ishte i ftuar një avokat, enkas, nga Kosova, i hershëm në miqësinë me pushtetarët serbë, i cili fliste në emër të popullit të Kosovës, pa qenë fare i autorizuar, se “Kosova e ka mirëpritur dhe aprovuar shpalljen “non grata” të Sali Berishës me familje!””, u shpreh publicisti.

Më tej, Zeqiraj, potencoi se kryeministri i Shqipërisë garanton tregun e Rusisë në rajon përmes Ballkanit të Hapur dhe synon ndarjen e Kosovës përmes Asociacionit.

“Kryeministri Rama del hapur palë me Serbinë. Dihet, “Ballkani i Hapur”, rivalizon “Procesin e Berlinit”, e vë të parë Serbinë në drejtimin ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që garanton tregun e Rusisë në këtë rajon. Njësoj, sikur ndryshimi i kufijve, përkatësisht, ndarja e Kosovës, përmes Asociacionit, që prodhon një “Republika Srpska”, si ajo brenda e Bosnjës, është nismë e krijimit të “Botës Serbe”. Për rrjedhojë, krijimi i precedentit, që Rusia të aneksojë shtetet sllave, të ndara nga Federata Ruse, duke krijuar “Botën Ruse”, më saktë, “Perandorinë Ruse”, thënë troç – Superfuqinë Ruse”!

Stopimi i çfarëdo Asociacioni një etnik, brenda Kosovës, do të ishte barriera e parë, për dështimin e planeve ogurzeza serbo-ruse, për të krijuar “Botët” e tyre serbe dhe ruse. Ky plan, tashmë, është qartazi i lexueshëm, andaj BE dhe SHBA duhen ta parandalojnë, si një tragjedi të pritshme, jo vetëm për shtetet ballkanike, por edhe për Evropën. Urtësia na mëson: “Kambanat bien për ata që kanë veshë për të dëgjuar””, vlerësoi ai.

Në fund, publicisti nga Gjermania, shtoi se zbatimi i Asociacionit është ‘goditje’ fatale për Kosovë, pasi që qëllimet janë të errëta dhe synojnë shkëputjen e atyre komunave nga vendi jonë.

Ai tha se Rama për t’i shpëtuar burgut, po synon ta sakrifikojë territorin e Kosovës.

“Referenca tek – “Klausula Sic Stantibus Rebus”, si normë juridike ndërkombëtare, për prishjen një kontrate apo marrëveshje ndërkombëtare, kur rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe dëmi që sjellë zbatimi i një marrëveshje të tillë, është fatal për vendin, shtetin, siç është Asociacioni një etnik. Qëllimet janë të errëta, me prapavijë bërjen hisedarë të Serbisë, duke krijuar një “Republika Srpska”, e cila paralizon funksionimin normal të shtetit të Kosovës, deri në shkëputjen e një pjese të saj.

Nënshkrimi i Marrëveshjes të Asociacionit është konspirativ, i fshehtë, i bërë me shantazh me dosje krimesh. Për ta shmangur humbjen e lirisë, burgun, nënshkruesi ka zgjedhur sakrifikimin e territorit të Kosovës! Andaj, Klauzola e cituar është domosdo të vihet në veprim”, përfundoi Idriz Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.