Kosovë-Shqipëri Qarkullonte me biçikletë dhe thyente xhamat e veturave në Durrës – Policia...

Qarkullonte me biçikletë dhe thyente xhamat e veturave në Durrës – Policia arreston 37-vjeçarin nga Tirana për vjedhje

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar një 37-vjeçar nga Tirana, pasi i njëjti dyshohet se Qarkullonte me biçikletë në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, thyente xhamat e automjeteve dhe vidhte sendet personale të drejtuesve të automjeteve.

I njëjti më pas përdorte automjetin e tij për të fshehur e transportuar sendet e vjedhura.

“37-vjeçari nga Tirana, autori i 5 vjedhjeve me thyerje, dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, ku vijon puna për zbardhjen e tyre.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune të gjatë hetimore, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga administrimi i pamjeve filmike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Refleksi’.

Në kuadër të operacionit u bë kapja në flagrancë, në tentativë për të vjedhur në një automjet, dhe u vu në pranga shtetasi V. K., 37 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftim.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas është autor i disa vjedhjeve me thyerje të automjeteve, të ndodhura në lagjet nr. 6, 8 dhe 12 të qytetit të Durrësit.

Ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete, në pronësi të shtetasve Xh. B., J. B., S. Q., L. K. dhe Xh. M., shuma parash, laptopë dhe sende të tjera personale të drejtuesve të këtyre automjeteve.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.