Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganavë Mustafa Dauti gjatë vizitës zyrtare në pikën kufitare Bllatë të Dibrës pati mundësinë të sheh nga afër gjendjen reale të punës, fluksin e lëvizjes dhe përkushtimin e doganierëve që çdo ditë japin maksimumin në kryerjen e detyrave të tyre.
Dauti në vazhdim publikoi të dhënat zyrtare që dëshmojnë qartë rritjen e dukshme të qarkullimit në këtë pikë kufitare. Në vitin 2024, në pikën kufitare Bllatë kanë kaluar 834.402 udhëtarë, ndërsa në vitin 2025 ky numër është rritur në 1.426.487 udhëtarë, që përfaqëson një rritje prej mbi 70%. Një trend i ngjashëm është vërejtur edhe te qarkullimi i kamionëve ku në vitin 2024 janë regjistruar 3.549 kamionë, ndërsa në vitin 2025 ky numër ka arritur në 9.357 kamionë, që nënkupton një rritje prej mbi 160%, gjë që dëshmon se kjo pikë kufitare ka marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe për qarkullimin ndërkufitar. Ky trend në rritje kërkon vëmendje, planifikim dhe mbështetje institucionale për të garantuar shërbim efikas, të sigurt dhe dinjitoz për qytetarët.
Dauti bën të ditur se një ndikim të madh në këtë rritje ka pasur edhe rregullimi dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, duke e bërë këtë pikë kufitare më të qasshme, më funksionale dhe më atraktive për udhëtarët dhe transportin. Ky investim ka dëshmuar se infrastruktura e mirë është drejtpërdrejt e lidhur me rritjen e qarkullimit dhe zhvillimin ekonomik.
Duke u nisur nga kjo rritje, ai vlerëson se ka ardhur koha që seriozisht të shqyrtohet edhe hapja e mundësisë për doganimin e mallrave në këtë pikë kufitare. Një hap i tillë do të kishte ndikim pozitiv jo vetëm në lehtësimin e qarkullimit dhe zhvillimin ekonomik lokal, por edhe në forcimin e rolit strategjik të pikës kufitare Bllatë.
Kjo vizitë ishte një tjetër dëshmi se ndryshimet pozitive janë të domosdoshme dhe të arritshme, kur ekziston vullnet, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen.








