Pyetje pa përgjigje apo shoqëri pa vetëdije

Shkruan: Ramadan Ramadani

Analiza nr. 6 – Instituti për Mendim të Lirë & Lajm TV

Siç e kishim paralajmëruar LajmAnaliza e rradhës do ishte për atë nëse kemi prap rast me parti dhe lider partie të zënë dhe të kërcënuar, por tragjedia që ndodhi në afërsi të fshatit Rashçe na bën që këtë ta lëmë për mandej. Sepse ka kështu ndodhi, dhimbje dhe tragjedi ku nuk përthekohen lehtë fjalët e që sigurisht i ndryshojnë krejt prioritetet dhe oraret.

Krejt shqiptarët e Maqedonisë i kanë afër dhe diku zateten e ndërlidhen me katër viktimat në rrugën afër fshatit Rashçe. Dikush i ka pasë familjarë e të afërt, dikush miqësi e i ka njohur, ata ishin bashkëfshatarët e f.Gërçec dhe bashkëqytetarë të Shkupit me rrethinë dhe krejt ne e ndajmë shtetin, fatin, vozitjen dhe rrugët me këto katër njerëz. Andaj dhimbja përveç se është e madhe dhe përvëluese është edhe e afërt për gati secilin nga ne. Na mbetet ta shohim si shenjë dhe shpresë shpëtimin e atij fëmiut të vogël katër vjeçar!

Ashtu prej fjalëve të pakta që me këtë rast mund ti përthekojmë janë analiza krahasimore; jo për ndonjë cytje dhe përgjigje, por vetëm për të ngritur pyetje!

Në Vojvodinë Novi Sad ra një strehë betoni në stacionin e hekurudhës dhe pati shumë viktima, në Mal të Zi para do ditëve hyni njëri ene vrau në një bar shumë veta e mandej edhe veten.

Dyja ngjarjeve ju dhanë konotacione të shumta dhe spjegime ama dyja ngjarjet u artikuluan deri në protesta direkte politike edhe pse ishin larg ndërlidhjet me qeveri, komunë e politikë.

Prap e përsëris nuk është kjo ftesë për protesta; as para qeverisë e as para komunës, por vetëm një krahasim se si te ne askush as nuk sillet aty pari dhe nuk e ec çështjen; as deri në ndërtim të plotë të asaj rruge.

Popujt janë si njerëzit dhe nuk ban të krahasohen njëri me tjetrin ama ne e dimë veten se njësoj jemi të mençur, të heshëm, të zotë e të fortë, si çdo popull për vete. Çka na mungon neve në këtë rast që nuk i kërkojmë pesë kilogramë kripë në borën dhe ngrirjen e parë? A nuk kemi vetëdije qytetare apo si shoqëri jemi të përçarë? Çka janë ato fjalë që fliten se në fakt ajo rrugë ku ka ndodhur tragjedia është një rrugë e “egër”, e hapur dhe ndërtuar me vetkontribut të qytetarve dhe firmave?

Ne e dimë ku është dhe ku nuk është shteti, politika ama ku janë edhe mediat që ta qartësojnë këtë punë të kësaj rruge?

Mandej ku është sinjalistika nëse ka aty hekurudhë, që edhe aty afër, por edhe në vende të shumta në Maqedoni merr shumë dhe shpesh viktima në njerëz? Ose mos po na mungojkan neve edhe shoqata dhe organizime e jo vetëm vetëdije pasi folet se aty në afërsi operon një shoqatë joqeveritare lokale që vjel me mijëra euro nga fondet europiane ama nuk e shohim askund, as në terren as në opinion, e sigurisht as projektet nuk ja dimë; ja aq sa as emrin nuk ja dimë tamam?!

Sigurisht se ka përjashtime edhe në shoqata edhe në mediume dhe ato meritojnë çdo respekt, si çdo qytetar që atë natë dhe ditën më pas u futën edhe në lum vet për me gjet trupin e viktimës së katërt! Këto njerëz dhe shumë tjerë tregtarë, pasanikë, diaspora dhe njerëz solidarë e meritojnë çdo respekt pasi mu ata kanë plotësuar krejt zbrazëtirat në këtë shoqëri e ka mbet populli kështu truç dhe i mbledht.

Këto meritojnë çdo respekt ama edhe ne duhet këto përgjigje me i lyp dhe me i gjet!

Sepse përveç se e afërt vdekja e këtyre katër qytetarëve është edhe një humbje e madhe edhe pse pasi është në jetëra njerëzish nuk matet me numra dhe statistikë sepse edhe humbja e një jete është si humbje e një bote.