“Pyetja e frikshme”/Gazetari kujton shembjen e Murit të Berlinit – ka një mesazh për dy qeveritë shqiptare

Gazetari dhe opinonisti, Bajram Mjeku përmes një shkrimi në Facebok, ka shkruar në lidhje me tridhjet e dy vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Ai shkruan se që nga shembja e Murit të Berlinit bashkë me të besonim se u shemb edhe Muri shqiptar, përcjell “Bota sot”.

Mjeku vazhdon më tej duke thënë se edhe pse tri dekada kanë kaluar që nga rënia e Murit të Berlinit, përveç presidentit Rugova, të dy shtetet vazhdojnë të udhëhiqen nga lider autokratë.

Edhe mbasi ra Muri i Berlinit, dy parlamentet asnjëherë nuk i dënuan krimet kundër komunizmit, shton tutje Mjeku.

Në fund Mjeku thotë që nëse shqiptarët nuk i mbledhin energjitë që e mira të triumfojë mbi të keqen, atëherë vjen pyetja e frikshme, çfarë na duhen dy shtete pa dalzotës të denjë?

Shkrimi i plotë

Kur ra Muri i Berlinit, a ra Muri shqiptar?

Sot tridhjetedy vjet ra Muri i Berlinit e bashkë me të besonim se u shemb edhe Muri shqiptar. Shqiptarët në të dyja anët e kufirit, për gjysmë shekulli kishin një diktator dhe sozinë e tij. Ishte Enver Hoxha i realitetit tragjik në Shqipëri dhe sozia e tij në celulat marksist-leniniste në Kosovë!

Edhe tre dekada mbas rënies së Murit të Berlinit, e majta qeveris me dy shtetet shqiptare. Përjashto liderin historik dr. Ibrahim Rugova, dy shtetet vazhdojnë të udhëhiqen nga lider autokratë, por falë Shteteve të Bashkuara, mbijetojnë me këmbë prej qelqi.

Edhe mbasi ra Muri i Berlinit, dy parlamentet asnjëherë nuk i dënuan krimet kundër komunizmit. Për ironinë e të gjithëve, në dy parlamentet veshur me kostime deputetësh, “aksidentalisht” u gjendën prokurorë e sigurimsa, sekretarë komitetesh e diferencues ideo-politik… Njësoj janë sot pasardhësit e tyre në kolltuqe ministrash e udhëheqës korporatash, shefa të agjensive e pronarë monopolesh, drejtues mediesh dhe shoqërisë civile… E gjithë kjo vazhdon të ndodh në shtëpinë me kulm teposhtë të politikës shqiptare.

“Elita” intelektuale, që moti është vetpërjashtuar nga zhvillimet politike. Më shumë se e heshtur, doli të jetë e blerë. Blerja e heshtjes nisi në dy universitetet publike, për të vazhduar në segmentet më vitale të shtetit. Nga një distancë kohore, gjërat duken sheshit se ishte regjimi komunist, i cili për nevoja të tij ngriti artificialisht këtë “elitë”, për ta zhbërë kurdo që i duhen pasardhësve të tij.

Në skenën politike shqiptare, nuk kemi parti politike me ideologji e program vërtet të djathtë, apo vërtet të majtë. E majta shërbehet me rekuizita të së djathtës kur e sa herë e do nevoja, por edhe e djathta i përdor të njëjtat rekuizita! Pavarësisht brenda cilit kufi administrativ jetojmë, ata shqiptarë që kanë orientim politik përnjëmend të djathtë dhe janë konservatorë, janë të mallkuar nga partitë shtet. Janë të anatemuar si dikur në kampin komunist dhe në “oazën” e tyre politike, nuk gëzojnë as edhe një pëllëmbë atdhe!

Duke bërë politikë me rekuizita të vjetra dhe duke abstenuar në integrimet evropiane, imazhi i dy shteteve tona si asnjëherë më parë është dëmtuar rëndë. Gjithë këtë poshtërim e kemi hedije falë liderëve autokratë. Fabrikat e tyre imagjinare, çdo vit prodhojnë papunësi e dëshpërim, plantacione kanabisi e universitete fantome, injorancë e servilizëm, mashtrim e dëbim…

Është momenti i fundit që pas shembjes së Murit të Berlinit, të shembet edhe Muri shqiptar. Nëse shqiptarët nuk i mbledhin energjitë që e mira të triumfojë mbi të keqen, atëherë vjen pyetja e frikshme; çfarë na duhen dy shtete pa dalzotës të denjë?