Pyetet rreth një bashkëpunimi me Dua Lipën, kjo është përgjigjja e Rita Orës

Prej dy ditësh, Rita Ora, po qëndron në Tiranë bashkë me familjen e saj.

Këngëtarja do të performojë nga ora 20:00 në sheshin ‘Skënderbej’, shkruan lajmi.net.

Gjatë ditës së sotme, Rita pati edhe një konferencë për media, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj.

Në konferencë, Rita, foli edhe për mundësinë e një bashkëpunimi me Duan dhe këngëtaret e tjera shqiptare të njohura ndërkombëtarisht, si Bebe Rexha dhe Ava Max, derisa u shpreh se mund të llogarisin në të.

“E kuptova. Kur unë fillova në 2011-2012, ndjeva se kisha shumë më shumë presion për ta futur vendin tim në hartën globale dhe mendova që jam e vetmja në atë kohë. Tani jam e çliruar që kam shumë më shumë nga vendi im në fushën time, por edhe në fushat e tjera. Ne kemi shumë talent si ato që përmende, dhe do të ishte një ëndërr për mua që një ditë të bëhemi të gjitha bashkë, në kohën e duhur. Të gjitha e kanë axhendën e ngjeshur, por në kohën e duhur, po, mua mund të më llogarisni”, tha Rita Ora.

Këngëtarja shqiptare nuk la pa përmendur edhe rastin e 11-vjeçares në Prishtinë, derisa po fliste për të ajo u pa e përlotur.

“Ju kërkoj ndjesë sepse mund të jem emocionale. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë na bëri të kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është për prindërit që të punojnë me fëmijët që këto ngjarje mos përsëriten më”, tha Rita Ora./Lajmi.net/